Festimet me rastin e ditës së Pashkëve, si rrallë herë u shoqëruan nga një angazhim i posaçëm i forcave të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës.
Ky angazhim i madh në numër dhe i specializuar në lloj i Policisë dhe i Gardës, Ministria e Brendshme përmes një njoftim për mediat thotë se, ishte në përgjigje të informacioneve të shërbimeve inteligjente vendase dhe të atyre partnere mbi mundësinë e kryerjes së akteve që cenojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike deri dhe në akte të karakterit terrorist.
Ky dikaster kërkoi sot që klasa politike të shmangë konfliktet pasi kjo situatë mund t’ua lehtësojë personave me ndikim dhe nga jashtë vëndit të krijojnë destabilitet në vend.
“Sigurimi i jetës së çdo qytetari është qëllimi parësor i veprimtarisë së Policisë së Shtetit si dhe i strukturave të tjera që merren me rendin dhe sigurinë publike. Ndaj, dhe në kohën kur qytetarët tanë festonin Ditën e Pashkëve, mbi 5 mijë punonjës të strukturave të policisë dhe gardës kaluan gjatë 48 orëve të fundit në gjendje gadishmërie të përforcuar, dhe me profesionalizëm dhe përkushtim realizuan me sukses mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve fetare të zhvilluara, duke garantuar kështu jetën e qytetarëve dhe sigurinë në vend.”, – thuhet në këtë njoftim.
Po ashtu, Ministria e Brendshme thekson se situatat e konfliktit politik në një vend si Shqipëria, edhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale, mundet të shfrytëzohen lehtësisht nga elementë të caktuar për të kryer akte kriminale, destabiliteti deri edhe terroriste.
“Ndaj inkurajojmë fort çdo qytetar të ndershëm që për hir të interesit të tyre dhe të familjeve të tyre të raportojnë çdo fakt apo të dhënë që ngjall dyshime në lidhje me rendin dhe sigurinë publike.
Shprehim falënderim të posaçëm për drejtuesit e komuniteve fetare, jo vetëm për bashkëpunimin me strukturat e policisë, por edhe për frymën e mirëkuptimit, thirrjeve për paqe e tolerancë të shprehur edhe gjatë këtyre ditëve të fundit.
Vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin profesional me strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe atë me shërbimet partnere duke përfshirë edhe ato të vendeve fqinje.
Vlerësim i lartë shkon për strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilët me profesionalizëm dhe seriozitet menaxhuan situatën e këtyre 48 orëve të fundit, duke përfshirë njëkohësisht dhe menaxhimin me sukses të një sërë detyrash dhe shërbimesh, siç ishin ato lidhur me flukset e shtuara të lëvizjes së shtetasve në pikat e kalim kufirit, atë të qarkullimit rrugor, shoqërimin e disa personaliteteve të larta të huaja, etj.
Ky shërbim masiv dhe i specializuar në këto ditë festash u krye në një kohë kur nga ana tjetër Policia e Shtetit është përfshirë në operacione të përditshme në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike apo çdo lloj paligjshmërie tjetër.
Angazhimi, profesionalizmi dhe sakrifica e treguar nga punonjësit në radhët e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, tregojnë qartazi se në këto struktura shërbejnë gra dhe burra, vajza dhe djem të përkushtuar ndaj detyrës, kushtetutës dhe ligjit, të denjë për të mbajtur uniformën e policisë. Për orë të tëra ata qëndruan në detyrë për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve në një klimë të sigurt dhe të qetë.
Krahas angazhimeve të tjera të Policisë së Shtetit në kuadër të forcimit të rendit dhe të rritjes së sigurisë publike, nuk do të ndalohet përpjekja jonë për të asgjësuar çdo rrënjë kanabisi dhe deri sa të vendosen nën përgjegjësi sipas ligjit çdo person, përfshi këtu edhe punonjës policie të cilët ndihmojnë apo më keq akoma janë pjesë e strukturave kriminale të trafikut të drogës.
Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, apo edhe i çdo lloj tjetër droge, jo vetëm që nuk sjell mirëqënie ekonomike, por përkundrazi kriminalizon ekonominë, kërcënon rëndë sigurinë publike, moralin shoqëror dhe nxit kaos e destabilitet politik. Ndaj duke kuptuar shumë mirë këtë, jemi të vendosur për të vazhduar pa hezitim luftën kundër këtij fenomeni.
Shprehim mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që janë të angazhuar në këtë luftë.
Mbështetja që opinioni i gjerë publik është duke i dhënë operacioneve të fundit të Policisë së Shtetit në kuadër të kësaj lufte përbën një inkurajim të madh për vazhdimin e saj.”, -thuhet në deklaratë.
c.a