Shqipëria duket se është kthyer në një vend të preferuar për të punuar për turqit dhe italianët. Të dhënat zyrtare për vitin 2016 tregojnë se shtetasit me origjinë turke zunë 28% të të huajve që kanë zgjedhur të punojnë në vendin tonë vitin e kaluar, ndërsa italianët rreth 23%. Kjo lidhet kryesisht me aktivitetin e shërbimeve apo edhe të ndërtimit që përbëjnë edhe fushat më të preferuar nga të huajt.
Të dhënat e siguruara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ( Shërbimi Kombëtar i Punës) tregojnë se listën e të huajve të punësuar në vend në 2016-n e pasojnë shtetasit shqiptarë të Kosovës (7%), por edhe ata Kinezë ( 6%) e grekë (5%). Më të paktë në numër janë ata kanadezë, egjiptianë, maqedonas apo edhe indianë.
Pjesa më e madhe e lejeve (rreth 40.5%) janë në rajonin e Tiranës, por ka dhe në Durrës (10% e Totalit), Lezhe (7%), etj. Nga 3.326 shtetasit e huaj të punësuar për 2016, rezulton se 1,825 janë pajisur me leje pune dhe 1,501 të tjerë me vërtetime deklarimi për punësim.
Sipas ligjit shqiptar, shtetasit e huaj që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri para fillimit të punës pajisen me një leje pune, ku të përjashtuar nga ky detyrim janë vetem shtetasit e Bashkimit Europian, shtetasit e zonës Shengen, shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe shtetasit e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare, të cilët para fillimit të punës pajisen me një Vërtetim deklarimi për punësim.
Në rritjen e numrit të të huajve të punësuar në Shqipëri ka ndikuar padyshim ndërtimi i veprave të mëdha në sektorin e energjisë, siç është gazsjellësi TAP, apo edhe hec-et mbi lumin Devoll.
Sipas këtyre të dhënave aktiviteti që tërheq më shumë të huaj mbetet ai i ndërtimit (20% të totalit), e më pas shërbimet (18%), industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese me nga 6%, aktivitetet profesionale dhe teknike me nga 9%, telekomunikacioni me 7%. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor mbeten më pak të preferuara, pasi të huajt që punojnë në këtë sektor zënë vetëm 1%./Monitor
c.a