“Uroj të gjithë besimtarët gëzuar Pashkën dhe mot më mirë. Të dashur miq do të dëshiroja që edhe kjo festë e madhe të shërbejë si burim ringjallje dhe force jo vetëm për besimtarët e krishterë por për gjithë shqiptarët. Për të shërbyer më mirë për atdheun. Shpallja juaj Kardinal nga Papa Françesku në tetor 2016 ishte një lajm i madh për Kishën Katolike Shqiptare, por për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës”,- tha Nishani.
Kreu i Shtetit e cilësoi si një çast tejet prekës momentin e shpalljes së tij Kardinal.
“Kur Papa Françesku i vuri kapelen e kuqe, u afrua tek Kardinali shqiptar kur ai u gjunjëzua, u përgatit që t’i jepte përqafimin e paqes, Ati i Shenjtë u përkul i pari mbi këtë meshtar të Zotit, mesdhetar të thjeshtë e të martirizuar në një skaj të Ballkanit për 30 vjet, në një vend gjysmë të harruar fshatrve të Shqipërisë ku ai shërbeu me përkushtim, deri në atë çast madhështor të papritur për jetën e tij dhe i dha në atë moment një përqafim të paharrueshëm. Ati i Shenjtë përqafoi figurën e këtij njeriu të moshuar dhe të thyer nga mosha por të papërkulur nga torturat dhe motet që në ato momente mbante mbi shpatullat e tij tërë popullin shqiptar të shumëvuajtur, kujtim e 38 martirëve dhe dhjetëra bijë të Kishës Katolike të popullit shqiptar që e ndiqnin nga qielli këtë ceremoni”.
Duke kujtuar historinë e vuajtjeve të Dom Ernest Simonit, Nishani tha se ai u arrestua në vitin 1963 vetëm se mbajti një meshë për presidentin e vrarë amerikan Xhon Kenedi, histori e cila përloti edhe Papa Françeskun.
“Ai regjim e dhunoi, shantazhoi, e goditi por nuk e theu në asnjë moment Dom Ernest Simonin. Zoti i ka dhënë jatëgjatësinë që të triumfonte. Në shtator të 2014 kur erdhi në Shqipëri kjo histori përloti edhe Papa Franceskun”- kujtoi Nishani.