Sebastian Fetel dhe Ferrari do të jenë protagonistë kryesorë në garën për titullin kampion në këtë sezon të Formula 1. Konfirmimi ka ardhur sot pasi gjermani siguroi fitoren e 44-t të karrierës duke mposhtur Luis Hemilon me një garë dhe strategji perfektë në Çmimin e Madh të Bahrejnit, për t’i shkëputur me 7 pikë britanikut në kryesimin e renditjes së Botërorit pas 3 garave të para.
Fetel bëri gjithçka mirë që në startin e garës, kur fillimisht kaloi Hamilton që ishte në vendin e dytë të nisjes dhe u vu në ndjekje të Botas. Ferrari bëri një llogaritje perfektë të kohës kur duhej futur në bokse piloti gjerman dhe ndërroi gomat e tij që në xhiron e 10, me një strategji të ndryshme nga ajo e makinave Mercedes.
Xhirot e shpejta që dha menjëherë me pistën e boshatisur para treguan se kjo ishte lëvizja e duhur dhe pak xhiro më vonë, pas hyrjes në fushë të makinës së sigurisë, Fetel e pa veten në kryesimin e garës, pasi makinat që kishte para hynë të ndërronin gomat.
Ferraristi e mbrojti këtë vend deri në fund me një garë konstante, duke e mbyllur atë i shkëputur nga Hemilton i cili provoi më kot ta arrinte në fundin e garës ku kishte gomat më pak të konsumuara se Fetel.
Pas krahëve të tyre u rendit Valteri Botas me Mercedesin tjetër, që mundi Ferrarin e Raikonen në fund të një dueli mjaft interesant. Pas tyre erdhën prenë shiritin me radhë në zonën e pikëve Riçiardo, Masa, Perez, Groszhan, Hulkenberg dhe Okon.