Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ambulantët, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, të cilët nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme duhet të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 246 lekë, nga të cilat, 2750 lekë për sigurime shoqërore dhe 1496 lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Ambulantët regjistrohen pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit sipas ndarjes së organizimit administrativ, shkruan Monitor.
Është kusht që ambulanti të mos këtë një vend fiks biznesi dhe nuk mund të ushtrojë veprimtari në më shumë së një njësi tregtare. I vetëpunësuari, i cili e zhvillon tregtinë në kushte të tilla që nuk i japin mundësinë të jetë i lëvizshëm gjatë ditës, nuk konsiderohet ambulant.
Administrata Tatimore në certifikatën e NIPT-it që i lëshon ambulantit është e detyruar që përpara emrit të tatimpaguesit të vendosë fjalën “Ambulanti”. Për shembull “Ambulanti Emër Mbiemër”. Ambulanti, pasi regjistrohet, ka detyrimin për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Dokumentacioni për regjistrim janë kërkesë me shkrim, fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës të personit të vetëpunësuar, formularin e regjistrimit të plotësuar.
Lejen nga bashkia nën juridiksionin territorial dhe administrativ, që i vetëpunësuari lejohet të tregtojë në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga Bashkia dhe që ushtron aktivitetin në njësi tregtimi të vetme dhe të lëvizshme. Çregjistrimi bëhet me kërkesë të personit të regjistruar si ambulant, që paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është bërë regjistrimi.