Në gjirin e Sarandës ka mbërritur kruaziera e parë e kompanisë MSC, e mirënjohur në botë për udhëtimet kruiz.
“MSC Poesia” është kruaziera që çeli turin e 30 udhëtimeve të kësaj kompanie prestigjoze drejt Sarandës.
Në vlerësim të kësaj ngjarje të rëndësishme turistike për Sarandën, në sheshin e portit u organizua një ceremoni pritëse, ku morën pjesë kryetarja e Bashkisë, Florjana Koka, përfaqësuesi i kompanisë MSC në Shqipëri, Gazmend Haxhia dhe autoritete portuale e të kapitenerisë së Sarandës.
Kryebashkiakja Koka tha në përshëndetjen e rastit se “kjo është një parathënie domethënëse për sezonin që po përgatit Saranda, dhe brenda të gjitha pritshmërive tona, për të shënuar fluksin më të madh se çdo vit tjetër, të turistëve të huaj”.
Turoperatori Haxhia, tha se MSC dhe “Albania Experience” që ai përfaqëson, prej shumë vitesh kanë punuar të përfshijnë në guidat e tyre Sarandën dhe vetëm sot u mundësua kjo, që do të ndodhë për çdo të enjte, me 30 ‘prekje’ të tilla. Kompania MSC ka një kalendar mjaft impresionues prurjesh në Sarandë.
Në pritje të mbi 2 mijë turistëve të “MSC Poesia”, të rinjtë e grupit artistik “Zëri i Bilbilit”, krijuan një atmosferë të gëzueshme festive. Turistëve iu shpërndanë verore me mbishkrimin “Saranda 2017”, si dhe kartolina e nënshkruar nga Kryebashkiakja Koka, me mbishkrimin “Ju deklaroj “Mik i Sarandes”.
Turistët e ardhur me “MSC Poesia”, mësohet se janë nga vendet latine, amerikanë, anglezë, gjermanë, italianë e spanjollë.
Mjaft prej tyre preferuan të ndjekin guidën ditore me autobusa, guida që patën në fokus Butrintin, Ksamilin, Syrin e Kaltër, dhe përfshinë edhe asetet turistike të Gjirokastrës. Te tjerë “eksploruan” në lëvizje të lirë qytetin e Sarandës, ndërsa ishin me qindra që u zhytën në detin e Sarandës, në Plazhin “Rinia”, buzë shëtitores.
Vetëm në rrugë detare, nga porti i Sarandës, pritet që sivjet të preket shifra e 300 mijë turistëve, sipas Sotir Davellës, drejtor i portit.
Gjatë gjithë verës dhe vitit 2017, pritet të ketë një dyfishim të numrit të kruazierave nga 34 kruaziera në 2016, numri i tyre do të shkojë në 75 të tilla këtë vit./m.m/