Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vazhdon të mbetet një zë kritik jo vetëm për punën e qeverisë, por edhe për opozitën ku ajo bën pjesë.
Pas kritikave të hapura të bëra ndaj kryetarit të saj Lulzim Basha, deputetja e Shkodrës nga foltorja e Kuvendit duket se ka bërë një hap prapa në sulmet ndaj kreut të demokratëve, ku shprehu sot mbështetjen e saj për protesta duke theksuar se nuk i qëndron mendimit se vendi ka nevojë për opozitë konstruktive.
“Dikujt mund t’i pëlqejë që shqiptarët t’i shohë se lepuj. T’i fusin në kafaz dhe të shohin reagimet e tyre pastaj. Unë mendoj se pas 25 vjetësh ka ardhur koha dhe ata do të dinë të ngrihen si luanë për të përmbysur sistemin e kalbur të korrupsionit që ekziston sot”, u shpreh Topalli.
Ish-nënkryetarja e PD-së duke u shprehur “jam e gatshme të kërkoj falje për çdo gabim”, kërkoi një opozitë ‘radikale’ që do të sillte sipas saj përmbysjen e qeverisjes aktuale.
“Nuk dua që shqiptarët të vuajnë me opozitë evropiane. Nuk jam për opozitë konstruktive kur shikoj këtë kalbësirë sistemi. Unë nuk jam revolucionare prej atyre që quheshim dikur. E di që ka vetëm një rrugë, disa e quajnë revolucion demokrati, unë them përmbysje të qelbësirave. Më duket si viti 1991, por nga njëherë tjetër më duket si një shartim me mafies dhe korrupsionit të kësaj që quhet qeverisje. Orën e kalbësirës mund ta ndalim”, u shpreh më tej deputetja e PD-së.