Kryetari i Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim 2013, Aleks Hajdari, argumenton se vrasja e ish-kolegut dhe mikut të tij, Artan Cuku, është kryer për shkak të disa detyrave që ai ka mbajtur në Polici.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai tregon se asnjë pistë nuk duhet përjashtuar, madje edhe hakmarrja duhet të verifikohet, por pa shpenzuar shumë kohë në atë drejtim, pasi ka shumë arsye që Cuku të jetë vrarë për shkak të funksionit që ka pasur në Polici. Ai tregon si e ka njohur Artan Cukun dhe flet për pasionin e ëndrrën që ai kishte për t’u rikthyer në Polici.
“Pistën e hakmarrjes nuk mund ta përjashtoj, kjo edhe për shkak të etikës, pasi ishte ish-drejtues policie, dhe jam shumë dakord që të hetohet edhe në atë drejtim. Duhet të verifikohet patjetër. Duke folur si punonjës Policie, ju them se normalisht që ajo pistë duhet hetuar dhe vlerësuar, pasi në momentin e parë që ndodhi ngjarja, kujtdo punonjësi policie ajo ishte e para që i ka shkuar ndër mend. Por, duke ndjekur dinamikën e ngjarjes, momentin kur është vrarë Artani, duke ndjekur edhe çfarë është thënë në media, unë personalisht mendoj që Policia nuk duhet të shpenzojë burime njerëzore apo kohë të tepërt në këtë lloj piste”- thotë ai gjatë intervistës.
Sipas tij, policia duhet të përqendrohet edhe në pista të tjera.
“Në pista që për mendimin tim janë më me vlerë për hetimin, sesa pista aktuale ku janë përqendruar hetimet. Mbase ky është edhe një plan i Policisë apo Prokurorisë për të larguar vëmendjen nga pista më konkrete. Por me aq sa kam ndjekur unë këto ditë duket sikur përqendrimi i grupit hetimor është te kjo pistë. Personalisht mendoj se lidhur me vrasjen e Artan Cuku duhet të hetohet në drejtim të të gjitha funksioneve që ai ka pasur në Polici. Grupet kriminale që ai ka goditur, sepse nga statistikat e kohëve të fundit kur ai ishte në detyrë janë të paktën 10 operacione me rrezikshmëri të lartë, qoftë kur ishte drejtor në Vlorë, qoftë kur ishte zv.drejtori i Policisë së Tiranës. Prandaj unë besoj që Policia nuk duhet të përqendrohet vetëm te një pistë hakmarrjeje, pasi ka shumë e shumë pista të tjera për shkak të detyrës ku mund të kryhen hetime”- thotë ai./Panorama/a.m.