Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës Sadrit Danaj u shkarkua sot nga kjo detyrë me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, pa pjesëmarrjen e demokratëve dhe PDIU-së ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi të braktisë mbledhjen. 15 këshilltarë votuan pro shkarkimit të Danajt nga 16 që ishin të pranishëm në proces.
Po kush është Sadrit Danaj? Ai është një njeri i besuar i ish-deputetit Koço Kokëdhima dhe aderon në partinë “Zgjidhja” të krijuar prej atij që deri dje cilësohej si “pashai i jugut”.
Sadrit Danaj rezulton një person i inkriminuar, arrestuar për rrëmbimin e një vajze të një biznesmeni në Sicili në vitin 2000. “Corriere Della Sera” dhe “La Republika”, kanë në arkivat e tyre të kronikës së zezë, rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni, për ta detyruar atë të paguante një gjobë të majme.
Sipas “La Republica”, policia ka përgjuar telefonatën e Sadrit Danajt, me bashkëpunëtorët e tij italianë, ku Danaj, në një moment është shprehur: “Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do t’ia kishim hedhur. Trupi nuk do të gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë”. Danaj është arrestuar në atë kohë nga policia italiane.
c.a