Bashkia e Tiranës vijon punën për rikonstruksionin e ambienteve sportive në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit. Sot, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një ndeshje basketbolli me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “7 Marsi”, të cilët tanimë kanë një palestër të rikonstruktuar ku mund të zhvillojnë orën e fiskulturës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës veçoi si të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e punëve në qytet edhe zhvillimin e zgjedhjeve në 18 qershor. “Sot pata kënaqësinë të luaj një ndeshje basketbolli dhe meqë e kishim lënë orarin e zhvillimit të saj, u paraqita në orar. Ekipi im humbi, e megjithatë i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u larguam në paqe. Kjo besoj kuptohet edhe nga fëmijët, se edhe ndeshjet e tjera, qofshin ato politike, kur ka një datë, siç është data 18 qershor, një orar, palët paraqiten në garë dhe pastaj rezultati varet nga pikët”, tha Veliaj.
Ai shtoi se është e rëndësishme edhe zhvillimi i kulturës së pranimit të rezultatit që prodhon loja, qoftë kur fiton, ashtu edhe kur humbet. “Edhe fëmijët e kuptojnë se mënyra për të ecur para është jo duke tërhequr këmbët zvarrë për të mos hyrë në garë, por duke qenë në garë dhe duke fituar me përulësi ose duke humbur me dinjitet; këto janë opsionet. Ashtu si kjo ndeshje basketbolli, rezultat pa garë nuk ka, ndaj besoj se ashtu siç e kanë kuptuar fëmijët, që gara e bën më të mirë qytetin, e bën më të mirë një nxënës, e bën më të mirë një njeri që mëson si të humbasë dhe si të fitojë. Edhe politika duhet të mësojë nga fëmijët. Me pak garë të ndershme, të sinqertë, duke u paraqitur në orar, duke bërë secili më të mirën, merr një rezultat që i kënaq të gjithë!”, deklaroi Veliaj.
/a.m.