Banka e Shqipërisë ka instaluar një aplikacion me të cilin monitorin online rreziqet operacionale, që nënkuptojnë abuzimet gjatë transportit dhe magazinimit të vlerave monetare cash. Banka Qendrore i ka forcuar dukshëm masat ndaj rreziqeve operacionale qysh kur u zbulua vjedhja prej rreth 6 milionë eurosh në 2014.
Në një raportim të posaçëm për Kuvendin Banka e Shqipërisë ka njoftuar se në muajt nëntor-dhjetor, Departamenti i Kontrollit në bashkëpunim me Departamentin e Administrimit finalizuan procedurën e prokurimit të rinisur në prill 2016 për blerjen e një aplikacioni për menaxhimin e automatizuar të auditimeve dhe të procesit të menaxhimit të rrezikut operacional, shkruan Monitor.
Pas disa vitesh inicimi dhe dështimi të procedurave për përftimin e nje software-i të tillë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se ka finalizuar me sukses procesin e blerjes, duke përzgjedhur një nga ofruesit më seriozë dhe më të vlerësuar në fushën e auditimit të brendshëm dhe të përdorur nga shumë banka qendrore.
Viti 2017 do të nisë me implementimin e aplikacionit, trajnimin e stafit për përdorimin dhe popullimin e aplikacionit me të dhënat historike të Auditimit të Brendshëm dhe Rrezikut Operacional.
Më herët Banka e Shqipërisë ka miratuar politikën auditimit të brendshëm dhe rishikimin e rregullores së funksionimit të Departamentit të Kontrollit, hyri në fuqi mënyra e re e procesit të shqyrtimit dhe miratimit të planit vjetor të Auditimit të Brendshëm në Bankën e Shqipërisë, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit.
Banka e shqipërisë dy vitet e fundit ka hartuar rishtas shumicën e rregulloreve që rrisin kontrollet në të gjithë sistemin e lëvizjes së cash në rrjetin e saj.
Në funksion të rritjes së eficiencës së kontrolleve Banka e Shqipërisë njoftoi se tashmë funksionon Komiteti i Auditit. Komiteti përbëhet nga 3 anëtarë të jashtëm të Këshillit: Petraq Milo (Kryetar), Ela Golemi dhe Denada Prifti. Gjatë 2016-ës, Komiteti i Auditit u mblodh shtatë herë. Mbledhjet kanë për qëllim të lehtësojnë komunikimin ndërmjet anëtarëve të Komitetit, inspektorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të Departamentit të Kontrollit, si dhe auditorit të jashtëm të pavarur.
Banka i ka shpjeguar kuvendit se, Komiteti i Auditit është takuar rregullisht me inspektorin e Përgjithshëm. Në këto takime është diskutuar organizimi i Departamentit të Kontrollit dhe plani vjetor i auditimit. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar burimeve të nevojshme njerëzore dhe financiare për përmbushjen e planit vjetor. Si rezultat i këtyre takimeve, anëtarët e Komitetit kanë krijuar një kuptim më të qartë të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe administrimit të rreziqeve në BSH./a.m.