Në ditën e 52 të protestës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka bërë thirrje sërish kryeministrit për dialog në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike. Gjatë një bashkëbisedimi me 27 kryetarët e partive aleate në çadrën e protestës, Basha insistoi në kerkesën e tij për qeveri teknike, në mënyrë, që sipas tij, t’i hapet rrugë zgjedhjeve të lira.
“Duam dialog. Tash 5 ditë presim dhe dora e shtrirë për një dialog paqësor dhe konstruktiv pa kushte refuzohet nga ai që është mësuar t’i flasë popullit të vet me monologë që s’japin zgjidhje. Por kurrë nuk është vonë. Edhe sot nga ky shesh dora për dialog mbetet e shtrirë për t’i dhënë fund krizës. Por ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe nga qeveria teknike. Edhe sot kërkesa jonë nga ky shesh është ti japim fund krizës politike me një dialog në funksion të zgjidhjes, por zgjidhja nuk mund të jetë më shumë oksigjen për krimin dhe drogën, por përmes një qeverie teknike për zgjedhjeve të lira dhe të ndërshmë”, tha Basha.
Basha më tej falënderoi edhe partitë që nuk janë në koalicion me PD-në por që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveri teknike.
“Falënderojmë me mirënjohje të thellë, të gjitha ato parti që s’janë pjesë e koalicionit tonë por që mbështesin kauzën tonë. Falëminderit dhe mirënjohje të thellë për ju që na mbështesni në kauzën tonë, gjithmonë nëse jeni të sinqertë”, ishte mesazhi i Bashës drejtuar LSI-së, që së fundmi është shprehur për qeveri besimi.
Lideri i PD tha se opozita nuk do të lejojë kurrë gjuhën e konfliktit dhe ndarjes së shqiptarëve
“I themi jo konfliktit, jo gjuhës së përcarjes, jo ndarjes së shqiptarëvë. Dita e fitores është afër”, tha Basha.
Përbetimi ynë i kalon kufijtë e partive politike, tha Basha,
“Përbetimi ynë kalon kufitjë e çdo partie politike, është përbetimi për Shqipërinë evropianë, për Shqipërinë e lirë, pa drogë dhe pa krim. Ne nuk e kërkuam këtë betejë, por na e dhanë ata që menduan se një popull mund të vidhet, mashtrohet, shkelet me këmbë dhe të mashtrohet me vjedhjen e zgjedhjeve. Erdhëm në këtë betejë për të bashkuar shqiptarët në rrugën drejt zgjedhjeve të lira”, tha Basha./javanews.al
c.a