Shkrimtari i njohur Zija Çela ishte sot në çadrën e protestës së opozitës, ku ka bërë disa deklarata të forta.Ai ka pasur shumë kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, por, në fjalimin e tij të gjatë, Çela ka thumbuar ne sy edhe Lulzim Bashën.
Teksa u shpreh kundër kërkesës për dorëheqjen e Ramës si kusht për t’u ulur në tryezën e dialogut, Çela u shpreh se PD duhet të mos pengojë deputetët të shkojnë e të bëjnë detyrën në Kuvend. Çela u shpreh kritik edhe ndaj çadrës së opozitës, duke e cilësuar si mjet të politikës për të futur kokën në thes.
“Unë nuk jam nga ata që shohin vetëm zi, por as nuk shoh vetëm gëlqere të bardhë. Prandaj, pa qenë nihilist, nuk jam as optimist me këmbët në majë të gishtave. Por sa herë konstatoj keqpërdorim të njeriut, deri dhe poshtërim të tij, më vjen të klith.
Një dokument legalizimi ngjante këto ditë me një llokmë mishi, me të cilën Kryeministri po ndillte mizorisht duke qeshur një fshatar. Vetëm fjalët “Kërce, qenush, kërce!” mungonin.
E di se prej entuziazmit vullnetarë, ka gjasa që ju do të më kundrështoni për krahun tjetër, por vërejtja bëhet më e moralshme kur njeriun, të cilit ia drejton, e ke të pranishëm.
Zoti Basha, a mund të përdoren edhe forma të tjera, pa e çuar deri në rraskapitje lodhjen e përditëshme dhe monotoninë taksative të çadrës?
Unë e di se në çadra e në shpella kanë hyrë edhe filozofë të shquar. Por kanë hyrë për të medituar përkohësisht dhe pa marrë popull me vete.
Kam drojën se forcat politike, të shtyra nga precedentët përsëritës, do ta kthejnë në zakon gjatë së ardhmes mbajtjen e kokës në thes, kur kemi nevojë për më shumë hapësirë dhe ajër të freskët.
Basha i kërkon dorëheqjen në mënyrë të përsëritur kryeministrit Rama, por pse do të bëhej një takim me një person të zhveshur nga pushteti, pa tagër për asgjë. Kryeopozitari nuk është Hamleti dhe as kryeministri nuk mund të shndërrohet në fantazmën e mbretit, sepse dialogje të tilla mund të ndodhin vetëm në teatër si në tragjedinë e Shekspirit.
Ky takim nuk mund të bëhet bam-bum në boshllëk, ai kërkon një parapërgatitje. Po ku dreqin janë futur të ngarkuarit nga liderët e tyre.
Do të kërkojë në mënyrë të njëhershme ndarjen e punës dhe funksionimin e të gjithë agregatëve të PD-së. Çadra nuk ka pse ta pengojë grupin parlamentar të debatojë në parlament.Nuk i shof në skalionin e parë disa nga figurat më kontribuese dhe historike të PD.
Zoti Basha a mund të përdoren dhe forma të tjera pa çuar në rraskapitje e lodhje dhe monotoninë taksative të çadrës?
Kam drojën se forcat politike të shtyra nga precedentët përsëritës do ta kthejnë në precedent në të ardhmen mbajtjen e kokës në thes. Uroj që si mjet të jetë çadra e fundit në kryeqytetin tonë ndërsa kurrë mos i ardhtë fundi protestave të qytetarëve.
Prandaj uroj që si mjet, qoftë çadra e fundit në kryeqytetin tonë, ndërsa kurrë mos u ardhtë fundi protestave të qytetarëve të lirë, sa herë që liritë u shkelen”, tha ai në fjalën e tij.
c.a