Ish – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata thotë prerazi se data për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit nuk mund të shtyhet përmes një vendimarrjeje të shumicës në këtë komision.
Zgjidhja, thotë ai, mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike mes palëve.
Gjata e fton kreun e KQZ-së të qëndrojë larg debatit politik dhe të mos shpikë shtyrje afatesh.
Por sa legjitim është një proces elektoral në të cilin opozita refuzon të bëhet pjesë, ndërsa socialistët duken të vendosur për të qënë pjesë e garës. Teknikisht, thotë Gjata, procesi është i mundur, por pikëpyetjet do të ngrihen sipas ish – kreut të KQZ-së, mbi legjitimitetin e një parlamenti të dalë vetëm nga një forcë politike.
Një ditë më parë, kreu i KQZ -së Denar Biba u shpreh pro shtyrjes së datës së regjistrimit të partive politike deri në 19 Prill, propozim ky që solli reagimin e ashpër të opozitës./Klan/a.m.