Pak orë para skadimit të afatit ligjor, KQZ regjistroi të hënën dhe tre parti të tjera politike që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, duke e çuar në 32 numrin e subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse ne proces.
Me votat e të shtatë anëtarëve, Komisioni miratoi regjistrimin e Partisë Demokratike të Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, me kryetar Osman Mema dhe shkronja nistore P.D.B.M.SH; të Partisë “Sfida për Shqipërinë” me kryetar Hektor Ruçi dhe shkronja nistore “SFIDA”, si dhe Partinë Ligj dhe Drejtësi, me kryetar Spartak Ngjela dhe shkronja nistore “PLiDr”.
Pas miratimit të këtyre akteve te veçanta, kryetari i KQZ-së, Denar Biba njoftoi se dita e sotme shënon afatin e fundit të regjistrimit te partive në zgjedhje. “Kanë aplikuar dhe parti të tjera dhe pritet të aplikojnë edhe të tjera, brenda ditës së sotme”, u shpreh Biba.
KQZ miratoi sot me pesë vota pro dhe dy vota kundër kandidaturën e Dorina Hasan Ukës, e propozuar nga Partia Socialiste, për kryetare të KZAZ-së nr.42, që do të administrojë procesin e pjessshëm zgjedhor për kryebashkiak në Kavajë.
Në mungesë të përfaqësimit të opozitës në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, KQZ miratoi sot vakancën me emërimin e sekretarëve dhe anëtarëve në disa KZAZ në qarqet Lezhë, Berat, Tiranë, etj. /b.d