Zbardhen të tjera detaje për viktimën e atentatit të mbrëmshëm në Vlorë. Sipas policisë, viktima Elidon Mehmeti ka qenë person me precedentë të mëparshëm kriminale. “Elidon Mehmeti, njihet nga policia shqiptare si person me precedent kriminal, i përfshirë në fushën e narkotikëve”- njofton policia.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është arrestuar në shtetin Italian për “Trafikim të Lëndëve Narkotike”. Deri në këto momente, Policia ka shoqëruar 8 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Vijojne hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe për arrestimin e autorëve.
Pas ngjarjes që tronditi mbrëmë Vlorën, kur u ekzekutua në makinë me 15 plumba kallashnikovi shtetasi Elidon Mehmeti, Policia e Vlorës ka shoqëruar dy persona. “Panorama” shkruan se ata janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve dhe jo të autorëve të dyshuar për krimin. Ata kanë dhënë hollësira që mund t’i shërbejnë hetimit për autorët, por ende nuk ka detaje.
Deri në orët e vona nuk kishte të dhëna zyrtare për motivin e mundshëm dhe as autorët. Paraprakisht dyshohet për ndonjë konflikt të Mehmetit apo prishje pazaresh me persona të tjerë, pasi sipas burimeve nga grupi i hetimit, 35-vjeçari ka qenë i implikuar më parë me skafet e Vlorës.
Por të dhëna më konkrete do të zbardhen nga hetimi, pasi kjo pistë është paraprake. Policia ka nisur kontrollet dhe bllokimin e akseve hyrëse dhe dalëse të Vlorës.
Ndërkaq, janë marrë në pyetje disa kalimtarë, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre për atë çfarë kanë parë. Policia ka bllokuar edhe celularin e viktimës për të zbardhur thirrjet dhe mesazhet nga ku mund të konstatohet ndonjë kërcënim i mundshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në zonën e Skelës, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të mjetit që i ishte zënë pritë, tip “Ford”, me targa AA 709 HM. Për pasojë mbeti pa jete drejtuesi Elidon Mehmeti.
ma.me