Deklarata e presidentit Hashim Thaçi se Kosova po përgatitet të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid pritet me skepticizëm nga ekspertët. “Kjo deklaratë s’duhet të merret seriozisht”, tha analisti Imer Mushkolaj. Analistë dhe ekspertë kanë dhënë reagime skeptike për deklaratën e Hashim Thaçit këtë javë se Kosova po merret me përgatitjet procedurale që të ngrejë një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pretenduar se shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit të kryer nga Serbia.
Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se njësoj siç Thaçi njoftoi për një padi gjenocidi kundër Serbisë një vit më parë dhe më pas nuk ndodhi asgjë, ai nuk pret shumë nga nisma e fundit e presidentit të Kosovës.
“Jam shumë skeptik se kjo do të ndodhë”, tha Blakaj për BIRN. “Në Kosovë nuk besoj se ka pasur masa për të mbledhur mjaftueshëm prova për ta paditur Serbinë për gjenocid, prandaj nuk mendoj se në të ardhmen e afërt Kosova do të jetë në pozicion për ta ngritur një padi të tillë”, tha ai.
Thaçi tha të martën se Kosova do ta padiste Serbinë si pasardhëse e Jugosllavisë, e cila gjatë luftës së viteve 1998-1999 u udhëhoq nga Sllobodan Millosheviqi. Ai tha se “e gjithë bota e di” që regjimi i Millosheviqit ishte përgjegjës për gjenocid në Kosovë. Por, analisti nga Kosova Imer Mushkolaj tha se lajmërime të tilla ishin bërë vetëm për të fituar pikë politike.
“Kjo deklaratë është vetëm për konsum të brendshëm. S’është hera e parë që presidenti Thaçi e përmend një gjë të tillë, por s’ka pasur asnjë masë konkrete”, tha Mushkolaj për BIRN.
“Kjo deklaratë s’duhet të merret seriozisht”, shtoi ai.Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq reagoi me zemërim ndaj deklaratës së Thaçit.
“As Gjykata e Hagës dhe as prokuroria e saj s’e ka akuzuar kurrë Serbinë për gjenocid, në vend të kësaj është ngritur një gjykatë për krimet e UÇK-së”, u citua të ketë thënë Daçiq sipas Tanjug të mërkurën.“Prandaj, janë kriminelët e UÇK-së ata që do të dalin në gjykatë, jo Serbia”, tha ai.
Në gusht të vitit të kaluar, Thaçi tha se Kosova ka vite që përgatitet për të ngritur një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Por ekspertët në atë kohë u shprehën se Kosova mund të hasë shumë pengesa gjatë rrugës së saj për në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Sugjerimi i presidentit Thaçi për një padi të Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është shumë realiste para faktit që Kosova nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe as palë në statutin e GJND-së”, tha Mitt Regan, një profesor drejtësie dhe bashkë-drejtor në Qendrën për Studimin e Profesionit Ligjor në Qendrën Juridike të Universitetit të Xhorxhtaunit, përgatiti Express. (b.an)