Drejtori i Policisë së Tiranës Edvin Hodaj ka dalë para mediave për të ofruar detaje rreth vrasjes së ish zyrtarit të policisë Artan Çuku tek zona e Liqenit Artificial sonte në mbrëmje. Hodaj tha se policia e Tiranës është duke punuar për zbardhjen e vrasjes së ish zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit. Ai tha se deri tani nuk ka asnjë pistë zyrtare dhe se policia është në fillim të hetimit.
“Unë ju informoj se rreth orës 20 ka ardhur një telefonatë për të shtëna armësh në rrugën e kosovarëve. Kanë vajtur menjëherë në vendngjarje forcat e policisë, ku kanë konstatuar se ishte goditur me armë zjarri një ish-zyrtar i policisë. Të shtënat me armë ishin fatale për jetën.
Janë organizuar postblloqe të menjëhershme janë dhënë të dhëna për autorët e mundshme, dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Jemi në fazat e para të hetimit, angazhimi jonë është maksimal.
Nuk kemi pasur asnjë informacion por dhe asnjë kërkesë nga viktima. Jemi shumë herët për të krijuar pista të mundshme por po punohet në këtë drejtim. Të gjitha pistat do hetohen nga ana jonë,.
Kjo është një ngjarje e rëndë angazhimi i policisë është shumë i madh. Dëshmitarët janë atashuar pranë komisariateve të policisë për të zbardhur ngjarë”, deklaroi Hodaj për mediat.