Emri i tij është përmenduar si zëvendësuesi i Sergio Ramos te Reali i Madridit, por Shkodran Mustafi, mbrojtësi me origjinë shqiptare, që ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, aktualisht nuk mendon për “Los Blancos” pasi është i lumtur te Valencia.
“Është e vërtetë që është folur për një interesim të Realit, kjo gjë më nderon natyrisht. Është një vlerësim i madh për atë që kam treguar unë në fushë gjatë sezonit të fundit, gjithsesi për momentin jam mirë te Valencia, jam i lumtur aty dhe dua të qëndroj te klubi nga Mestalla“,deklaroi Mustafi për portalin televiziv “Spox.com”. Sezoni i fundit dhe i pari në La Liga ishte shumë pozitiv për 23-vjecarin. Mustafi me paraqitjet e tij ndihmoi Valencian të kualifikohej në Champions League, teksa zhvilloi në total 33 ndeshje dhe realizoi 4 gola.