Nga Lorenc Vangjeli
Diku nga ora 04.40 e mëngjezit me orën lokale të Sirisë, Shtetet e Bashkuara ndërmorrën një operacion ushtarak kundër disa objektivave strategjikë në vendin e cfilitur nga lufta civile. Sulmi ishte një kundërpërgjigje “proporcionale” për goditjen me armë kimike mbi qytetarë civilë, një akt dramatik për të cilën u fajësua regjimi i Asadit. Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishin kaluar shumë vija të kuqe dhe se një sulm i tillë nuk mund të tolerohej. Presidenti Trump urdhëroi për herë të parë përdorimin e forcës nga ushtria amerikane që nga janari i këtij viti kur ai morri presidencën. “…i bëj thirrje gjithë kombeve të civilizuara të na bashkohen…!”, tha presidenti Trump.
Pak minuta përpara se të vinte mesnata në Shqipëri, tre politikanët më të rëndëishëm të vendit, kryeministri Rama, kryetari i kuvendit Meta dhe kryetari i ri i opozitës Basha, kishin përfunduar intervistat e tyre të “sikletshme” në tre ekrane të ndryshëm televizivë. Si dhe shumë herë të tjera, sporti kombëtar shqiptar, politika, kishte tërhequr në ekrane gjithkënd. Tifozët e politikës, militantët, të paangazhuarit apo dhe indiferentët me “pehriz” mga politika, prisnin të shihnin se çfarë do të ndodhte. Por edhe mbas intervistave të tyre, të gjitha kategoritë e qytetarëve që i ndoqën, mbetën me po të njëjtat pikëpyetje e dilema. Pyetjet nëse do të ketë apo jo dialog mes palëve, do të ketë marrëveshje mes partive, cilët do të jenë koalicionet, do të ketë zgjedhje në 18 qershor, do të instalohet për një kohë të paqartë institucioni i krizës në vend, do të ketë qeveri teknike, besimi apo politike, e të tjerë, e të tjerë, nuk morrën përgjigje.
Politika është si shahu. Që të luhet në nivel profesionist, kërkon parashikimin e disa lëvizjeve të njëpasnjëshme. Shahu luhet me disa “nëse” parashikuese që e bëjnë kaq të paparashikueshme lojën e hershme të tavolinës. Disa nga “nëset” e shahut të politikës shqiptare shkaktojnë një zinxhir shkak-pasojë që e ka tejkaluar hallkën e parë dhe që i duket ende larg hallka e fundit e zinxhirit. Një hallkë e rëndësishme – ndodhet diku mes të parës dhe të fundit – është momenti që ngulmon të thotë se çfarë ndodh nëse institucionet e vendit delegjitimohen nga pikpamja kushtetuese. Domethënë, si do të ishte Shqipëria nëse nuk ka zgjedhje dhe nuk ka zgjidhje kushtetuese, nëse parlamenti i ri nuk është konstituuar deri në datën 9 shtator të këtij viti kur i mbaron mandati parlamentit aktual.
Një republikë parlamentare pa parlament është si këngëtari pa gjuhë dhe shurdh. Qeveria që do të drejtonte vendin nga ajo datë e tutje nëpër vjeshtë, do të kishte teorikisht të njëjtin ndikim dhe legjitimitet si në Tiranë, si në Taivan. Më shumë se një nga hallkat shkak-pasojë të zinxhirit të dobësive, ai do të ishte një reaksion zinxhir që do ta sillte vendin, në një epokë tërësisht apolitike.
Edhe Rama, edhe Meta, edhe Basha i kanë sytë nga Presidenti Trump. Si politikanë të lartë të një vendi antar të NATO-s dhe teorikisht edhe të një “kombi të civilizuar”, ata do të ishin dhe do të duhej të ishin solidarë me vendimet e Presidentit Trump. Edhe për shkak të detyrimeve në NATO, edhe për shkak të partneritetit strategjik me SHBA-në. Por me skenarin e trishtuar të mosmarrëveshjes mes tyre, pavarësisht dëshirës, as njëri dhe as tjetri, nuk do të kishin asnjë autoritet moral dhe institucional për ta bashkuar Shqipërinë e vogël në krah të vullnetit të Amerikës së madhe.
Katër vjet më parë Shqipëria pothuaj u përfshi në një operacion gjigant për eliminimin e armëve kimike të Sirisë. Shqipërisë ju kërkua të verë në dispozicion të atij operacioni territorin e saj në rolin e pritësit, magazinuesit dhe asgjesuesit të lëndëve kimike luftarake, ndërsa të tjerët – amerikanët – do të bënin gjithçka tjetër. Për shkak të kundërshtisë së opinionit, ky operacion u realizua në bregun tjetër të Adriatikut. Atëherë ishte prologu i qeverisë Rama. Për ironi të fatit, katër vjet më pas, po nga armët kimike siriane, po nga një president amerikan, Shqipëria thirret në apelin e “kombeve të civilizuar” për t’u bashkuar kundër këtij rreziku. Ka shumë gjasa që kështu si ka nisur, Shqipëria nuk do të përgjigjet dot në këtë apel. Sepse do të jetë e zënë me halle lokale që nuk e lënë të nxjerrë kokën nga jorgani i halleve të saj para dhe pas elektorale. Shqipëria është një vend gjigand nëse e sheh nga perspektiva e çadrës së protestës apo dhe dy zyrave më të rëndësishme të vendit fare pranë saj. Por nëse e sheh nga perspektiva amerikane që tashmë po kërkon të ndëshkojë me armë një regjim në cepin tjetër të Mesdheut, Shqipëria ngjan shumë e vogël. Duke u gdhirë e premtja, e cila kësaj here u shenjua nga raketat amerikane, edhe gongu final i halleve tona elektorale, me siguri është dëgjuar shumë pak. Dhe e vetmja mundësi për t’u rritur është garantimi i stabiliteti në këtë skaj tjetër të epërm të Mesdheut. Që nis padyshim me dialog dhe dialogu nis padyshim pa kushte, pa mure dhe pa ultimatume. Pak a shumë këtë thotë edhe apeli i Presidentit Trump që edhe pa e njohur fare Shqipërinë, e llogarit atë me siguri në listën e kombeve të civilizuar. Një vend antar i NATO-s prej tetë vjetësh tashmë.