Edi Rama dhe Lulzim Basha kishin rënë dakord në parim të takoheshin me njëri-tjetrin në një tryezë dialogu, për të cilën po punonte prej disa ditësh ambasadori amerikan. Por zhvillimet e së enjtes treguan se takimi mbetet vetëm teorik.
“Dua mirëkuptimin tuaj që sot të mos flas as për qeverinë teknike, as për datën e zgjedhjeve, për një arsye shumë të thjeshtë, se kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur. Nuk kam orë, nuk kam vend. Shpresoj që ta kem orën dhe vendin, kudo qoftë. Unë preferoj në çadër, por nuk ka asnjë problem po të jemi diku tjetër dhe në çfarëdo formati që të jetë; vetëm për vetëm, me shokë bashkë, me aleatë, pa aleatë, me të gjithë aleatët, si të jetë”, deklaroi Rama paradite në Parlament.
Kryeministri Rama nuk ndryshoi pozicionin e tij kushtetues kunder qeverise teknike dhe shtyrjes se zgejdhjeve, por shprehu gatshem t’i jape opozites gjithcka per nje reforme te thelle zgjedhore.
“Gjithçka është e mundur. Gjithçka që ka të bëjë me legjislacionin, gjithçka që ka të bëjë me mekanizmat që lidhen me procesin zgjedhor, është e mundur”, theksoi Rama.
Por opozita duket se e lexoi ndryshe këtë deklaratë të kryeministrit pasditen e së enjtes. “Ky nuk është dialog, këto janë monologje. Ky është vendi dhe momenti t’ju them se monologje shterpë ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë”, tha kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Basha, i cili më herët kishte kërkuar takim mes stafeve për të koordinuar një takim me axhendë të parapërgatitur me Ramën, shpjegoi pasditen e së enjtes domethënien e kësaj kërkese.
“E hapur mbetet ftesa për dialog për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike. Por nëse lojrat janë përgjigjia e vetme e republikës së vjetër, atëherë nga ky shesh u themi se përballja do të jetë përgjigjia jonë deri në fitore”, tha Basha.
Të martën, kreu i opozitës i uroi mirëseardhjen bashkëkrytarit të koalicionit qeveritar, Ilir Meta, ndërsa të enjten pasdite falenderoi për qëndrim të përgjegjshëm edhe aleatin tjetër të Ramës, Shpëtim Idrizin./top-channel
c.a