Deputetja e Partisë Socialiste ka komentuar zhvillimet me të fundit politike në vend si dhe protestën e opozitës. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Vasilika Hysi u shpreh se qëndrimet e PD-së kanë ndryshuar që nga nisja e protestës në 18 shkurt. Deputetja e PS tha se data e zgjedhjeve është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nuk mund të ketë shtyrje.
“18 shkurti ishte dita kur ne po punonim për vettingun dhe që nga ajo ditë qëndrimet e PD kanë ndryshuar, pasi kanë qenë kontradiktore. Zgjedhjet parlamentare rregullohen me kushtetutë, pra ka rregulla të përcaktuara ndryshe nga zgjedhjet lokale. Kjo do të thotë se dekretimi që i bëri presidentit datës së zgjedhjeve është konform rregullave dhe duhet të respektohet. ”- tha Hysi.
Sipas Vasilika Hysit qeveria ka treguar vullnet për dialog dhe dalja nga çadra e opozitës është në të mirë të saj. Sa i përket propozimit të Ilir Metës për qeverinë e “besimit” me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike, deputetja e Partisë Socialiste tha se nuk e kupton çfarë do të thotë qeveri “besimi”.
“Qeveria që qeveris sot është qeveri besimi, pasi e ka marrë para rreth 4 vitesh. Rama përsëriti sot sërish që është i gatshëm për dialog. Ne kemi respektuar në këto 4 vite edhe opozitën. Dalja e opozitës nga çadra është në të mirë të saj dhe shmang vetëvrasjen. Nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje do të thotë se nuk ka alternativë. Kjo mazhorancë ka treguar vullnet politik. Nuk e shoh me vend krijimin e qeverisë teknike, sa për këtë qeverinë e besimit mendoj se nuk ka sens. Nuk e kuptoj çfarë do të thotë qeveri besimi?”- u shpreh Vasilika Hysi në studion e ‘News24’.
c.a