Do të vijë një ditë kur drejtësia ndërkombëtare do të shprehet për Bashar El Assad, që ka masakruar popullin e tij, konfirmoi sot ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Marc Ayrault.
Pyetur nga stacioni informativ CNEWS, shefi i diplomacisë franceze shtoi, duke përmendur sulmin kimik të dyshuar të kryer nga regjim i Damaskut, se “nuk duhet që këto krime të mbeten pa ndëshkuar. Përveç se ka hetime, komisione të Kombeve të Bashkuara do të ketë dhe një proces si kriminel lufte”.
Duke përmendur përpjekjet e ndërmarra në Kombet e Bashkuara në kuadër të marrjes së votës nga Këshilli i Sigurimit për një rezolutë që dënon këtë sulm, që ka shkaktuar të paktën 86 të vdekur, 30 prej të cilëve fëmijë, Ayrault deklaroi “Franca kërkon të ketë një rezolutë për atë që ka ndodhur”.
“Është e vështirë, sepse deri tani, çdo herë ne kemi depozituar një rezolutë, ka pasur veto ruse, shpeshherë të mbështetur nga vetoja kineze. Por duhet të bashkëpunojmë sepse kjo masakër duhet të ndërpritet”, shtoi ai.
“Duhet të sigurojmë ndalimin e armëve kimike dhe të hetojmë për të mësuar se çfarë ka ndodhur vërtet, për të mësuar çfarë armësh janë përdorur, çfarë substancash dhe të bëjmë përpjekje që kjo të ndalohet”, nënvizoi ministri.
Të mbledhur dje me urgjencë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së shtyu votimin për një rezolutë të mundshme dënimi.
”Teksti i paraqitur nga Uashingtoni, Parisi dhe Londra pritet të votohet sot”, sipas diplomatëve të OKB-së.
Moska e ka gjykuar të papranueshme projektrezolutën që dënon këtë sulm kundër qytetit sirian të Khan Cheikhoun.