Komuniteti i biznesit përshendeti nismën e qeverisë për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20-6 % për njësitë akomoduese në sektorin e turizmit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, krerët e shoqata të biznesit që operojnë në treg, njëzëri e vlerësuan këtë nismë si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e këtij sektori.
Sipas tyre, ulja e TVSH-së në nivelin 6 % do të rrisë investimet në këtë sektor, çka do të çojë në përmirësimin e shërbimit për konsumatorin, por do të rrisë edhe punësimin. Ulja e TVSH-së shton mundësitë që Shqipëria të kthehet në atraksion, tha kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, ndërsa shtoi se kjo masë do të rrisë edhe formalitetin në këtë sktor që përkthehet në më shumë të ardhura në buxhet.
Ndërsa, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ftoi qeverinë të rishikonte edhe taksa te tjera të propozuara nga biznesi duke shprehur bindjen se të ardhurat në buxhet do të jenë më të larta, pavarësisht uljes së taksave. “Ky ligj do të ketë ndikim pozitiv edhe në formalizimin e këtij sektori dhe jam i bindur se të ardhurat do të jenë më të larta. Kjo është një ftesë, për t’i thënë qeverisë se masa më e mirë prë të ulur informalitetin është ulja e taksave”, tha Jaka.
Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit u shpreh se nga kjo masë e qeverisë do të përfitojnë rreth 3900 njësi akomoduese në vend, duke nisur nga hotelet, motelet apo bujtinat. Sipas tij, takaat e larta kanë qënë një ndër faktorët që ka dhënë ndikimin më negativ në frenimin e investimeve në këtë sektor.
Duke e konsideruar turizmin si sektorin me një impakt të lartë në PBB-në e vendit, Topuzi u shpreh se 60 % e bregdetit është e pashfrytëzuar për investime dhe kjo masë do të hapë rrugën investimeve të reja. Ulja e TVSH-së, tha ai, e kthen Shqipërinë në një vend konkurues në rajon, në kushtet kur disa vende për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet me FMN-në, e kanë rritur TVSH-në , si dhe bën që Shqipëria të pëfshihet në paketat turistike rajonale.
Tatimi mbi vlerën e shtuar për akomodimin turistik në Shqipëri do të jetë 6 përqind, nga 20 që është aktualisht. Qeveria ka vendosur në mbledhjen e fundit reduktimin e kësaj takse për hotelet me qëllim nxitjen sa më shumë të këtij sektori, i cili vitet e fundit është kthyer një nga mbështetësit kryesor të ekonomisë dhe nxitës i punësimit.
Në 2016 të ardhurat nga turizmi në vendin tonë arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh sipas Bankës së Shqipërisë. Sipas Institutit të statistikave gjatë 2016, vendin tonë e vizituan 4.7 milionë udhëtarë, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
ma.me