Kryeministri Edi Rama ka deklaruar qartazi se qëllimi kryesor i çadrës së PD-së nuk janë zgjedhjet, por përpjekja e saj për të bllokuar reformën në drejtësi e posaçërisht vetting-un. Në funksion të kësaj strategjie ajo synon që të mos lejojë PS të hyjë në zgjedhje pasi tashmë është e qartë se “PS është garancia për zbatimin e Reformës në Drejtësi”.
“Çadra u ngrit në javën e vetting-ut. Është qartazi një përpjekje që PS të mos hyjë në zgjedhje. PS shihet si garanci për zbatimin e ligjit të vettingut. Ky është thelbi i çadrës. Kjo e motivon përpjekjen e çadrës”, deklaroi Rama.
Sipas tij, frika nga drejtësia po shpërfaqet në gjithë përmasën e vet dhe se ata që motivohen nga kjo frikë nuk e kanë problem ta çojnë vendin në destabilizim.
“Janë gati të bëjnë gjithçhka që shteti të mos bëhet shtet dhe të mos ketë drejtësi. Bëjnë gjithshka që të ruajnë kastën e inkriminuar në prokurori e gjyklata që është e lidhur si ‘mishi me thoin’ me çadrën. Përpjekja për t’u thënë shqiptarëve se zgjedhjet pa opozitën nuk bëhet është një përpjekje e sponsorizuar mbi dorë dhe nën dorë. Është liria që prodhon opozitën dhe jo e kundërta. Opozita nuk është flamur. Është përpjekje e dëshpëruar dhe qesharake përpjekja për të nxjerrë nga lumi ‘gurin e hedhur’ nga budallallëku. Ka dy ditë që e pres Bashën. Nuk ka as ditë as orë”, u shpreh Rama.
Rama ka pasur ironi dhe shigjeta edhe për LSI. Kreu i Qeverisë ka thumbuar aleatin e tij në qeverisje, për mungesën e rregullit në Parlament. Rama thotë se kjo legjislaturë do të mbahet mend si “qesharake”.
“Ky parlament do të hyjë në histori si parlamenti më qesharak në historinë e Shqipërisë, jo për trafikantë, apo për injorantë, sepse këtu nuk ka patur rregull. Opozita ka folur më shumë se gjithë aleanca qeverisëse, dhe lideri ka folur tre herë më shumë se unë që nuk shquhem për fjalime të shkurtra”, tha Rama.
Rama i ka kujtuar gjithashtu Metës se reforma zgjedhore është bërë me konsultim të përbashkët mes aleatëve. Por Rama e pranon se, edhe brenda aleancës ka opozitë.
“Në reformën zgjedhore e diskutuam bashkë. Dhe arritëm në konkluzione. Por ne brenda aleancës kemi dhe opozitën tonën që thonë thellohuni, thellohuni, mishëruam në Kod të gjitha ndryshimet”, tha Rama.
/javanews
ma.me