Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektligj për uljen e TVSH-së për turizmin në 6%.
Vendimi i qeverisë është një lehtësim për sektorin e turizmit, për nxitjen e investimeve, uljen e çmimeve dhe rritjen e konkurrencës.
Turizmi mbetet një nga sektorët më vitalë për ekonominë shqiptare i cili gjeneron të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe ekonominë familjare.
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e propozuar nga qeveria.
Ulja e TVSH për turizmin ka qenë një nga premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe kërkesë e vazhdueshme e operatorëve turistikë.
Projektligji:
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1 Pas pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.
Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/b.d.