Deklarata e Ilir Metës për ‘qeveri besimi’ i trazoi edhe më shumë ujrat mes PS-së dhe LSI-së. Por me gjithë replikat në distancë, duket se gjërat mes PS-së dhe LSI-së nuk kanë degraduar aq keq.
Sot, dy ministra të LSI-së kanë folur për dialog dhe kompromis.
“Së shpejti do të kemi një kompromis dhe ulja në tryezë është shkëputje nga agresiviteti.
Dy palët janë të ndërgjegjshëm dhe duhet të ulen në tryezë për dialog. E rëndësishme është që të fitojnë reformat. Fryma e dialogut shpejt do të japë frytet e saj.
Fryma e dialogut është kryesorja. Të rikthejmë opozitën në Parlament, LSI ka shprehur predispozicionin e saj për të qenë pjesë me aleancën e majtë”, ka thënë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
“Unë mendoj që ulja në një tryezë të përbashkët e partive politike do t’i japë një zgjidhje vendit. Dialogu gjithnjë sjell zgjidhje dhe jo ngërç. Kështu që le të provojmë me dialog për t’i dhënë zgjidhje vendit, jemi në prag të zgjedhjeve”, ka thënë nga ana tjetër ministrja Klajda Gjosha.
Ndërkohë, pas replikave në distancë, Taulant Balla dhe Monika Kryemadhi, kanë qenë bashkë sot pranë banorëve të Gramshit. Me ta ishte edhe Anastas Angjeli i PS-së.
Balla dhe Kryemadhi në foto duken të qeshur dhe miqësorë, ndryshe nga sa flasin kur janë më vete./a.m.