Sikur të mos mjaftojë kriza me çadrën jashtë dhe me besimin brenda saj, mazhoranca në pushtet do të përballet me një kokëçarje të re përpara datës 14 prill, kohë kur, sipas konstitucionalistëve, duhet të hapet zyrtarisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Burime nga Kuvendi thanë për Top Channel se kryetari Ilir Meta nuk ka vendosur ende një datë kur do të thërrasë krerët e grupeve parlamentare për të përcaktuar kalendarin e posaçëm të 5 raundeve presidenciale.
Ndërkohë që legjislatura aktuale mbyll punimet para datës 18 maj dhe opozita vijon bojkotin, nga java tjetër, situata komplikohet edhe më shumë për aleancën e majtë në pushtet. Ajo duhet t’i japë vendit Presidentin e ri. Dhe këtu, përplasja politike jashtë dhe brenda radhëve, përballet me përplasjen e datave.
Denar Biba, kreu i KQZ-së, thotë: “Kushtetuta, mirë ose keq, është shumë e qartë kur thotë, së pari, që mandati i Presidentit aktual mbaron në të njëjtën datë me zgjedhjen përpara 5 vitesh. Në këtë rast, në datën 24 korrik mbaron mandati i Presidentit. Në datën 25 ai nuk mund të ushtrojë më funksionet e tij”.
Vete kreu i shtetit ka deklaruar se nuk do te qëndroje në detyrë pas 24 korrikut, nëse nuk është zgjedhur Presidenti i ri. Nishani ka deklaruar po ashtu më parë se zgjedhja e Presidentit të ri i përket këtij Parlamenti: “Procesi i zgjedhjes së Presidentit është në Parlament. Është i parashikuar nga ky Parlament me të drejtën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës përpara se të shpërndahet dhe të hyjë në zgjedhjet politike”.
Eksperti i çështjeve zgjedhore Kristaq Kume shprehet: “Në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, si rregull, unë nuk shoh ndonjë ngërç. Kushtetuta e ka të zgjidhur këtë problem, duke iu larguar asaj çka duhet të synohet me zgjedhjen e njeriut që do të jetë në këtë institucion si përfaqësues i të tërëve. Procedurat për zgjedhjen e Presidentit në Kuvend të fillojnë nga fillimi i muajit prill, në mënyrë që të arrijë të zgjidhet përpara nisjes së fushatës zgjedhore”.
Kreu i KQZ-së, një njohës i Kushtetutës, është dakord me paraardhësin e tij: “Për të mos rënë në këto situata, zgjedhja e Presidentit duhet të fillojë, sikundër parashikon Kushtetuta, maksimalisht përpara datës 14 prill”.
Por, situata politike mund të sjellë mbivendosje kalendarësh të zgjedhjeve politike me ato të kreut të ri të shtetit, çka mund të sillte një situatë të pazakontë kushtetuese.
Juristi Çlirim Gjata shpjegon: “Mund të jetë një President numrash, qoftë me 84 vota ose me 71. Mund të kemi President pa konsensus. Data e zgjedhjes apo mënyra e zgjedhjes nuk është e rëndësishme. Po sikur të mos zgjidhet Presidenti? Çfarë do të bëhet pas 24 korrikut? A i takon Parlamentit të ri të rihyjë në zgjedhjen e Presidentit? E dyta, kemi vend vakant apo President në detyrë?”
Pra, çfarë ndodh nëse Presidenti i ri, me situatën e re politike, me kërkesa për shtyrje procedurash dhe zgjedhjesh, nuk votohet deri në 24 korrik? Kush ulet në karriken e Bujar Nishanit?
“Neni 91 i Kushtetutës parashikon që vakanca në këtë rast do të mbushet nga kreu i Kuvendit, i cili do të ushtrojë funksionet e Presidentit derisa të vijë Presidenti i ri”, thotë Biba.
A është kjo arsyeja që nga darka e fundit me kryeministrin Edi Rama nuk u bë publike ndonjë emër për President, përveç afirmimit të koalicionit aktual? A është ky sinjali më i fortë se Ilir Meta mund të jetë realisht drejt dyerve të Presidencës? Por, edhe këtu, në dukje, ka një problem. Ilir Meta ka deklaruar se në këtë fushatë do të futet si kryetar partie: “Është e paevitueshme që unë të drejtoj LSI-në në zgjedhjet e ardhshme”.
Atëherë, si mund të zgjidhet Ilir Meta President, duke qenë kryetar partie? Për Kristaq Kumen, Kushtetuta ofron edhe një zgjidhje për këtë: “Betimi i Presidentit mund të bëhet në një seancë pas datës 24 korrik. Mund të bëhet në një seancë të jashtëzakonshme ku thirret Kuvendi për të realizuar këtë detyrim. Për mendimin tim, nuk përbën problem juridik. Ky Kuvend e ka mandatin e tij deri në ditën kur mblidhet Kuvendi i ardhshëm. Mandati i mbaron në 9 shtator”.
Mandat deri në 9 shtator, nëse zgjedhjet nuk shtyhen. Kështu thotë Kushtetuta, kështu thotë dhe Edi Rama. Por, nga mbrëmja e të hënës duket se Ilir Meta ka një mendje tjetër. Kështu që edhe skenarëve kushtetuese për Presidentin e ri do tu duhet të presin zhvillimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku gjendet çadra dhe zyrat e Edi Ramës dhe Ilir Metës.