Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj priti sot ministrin e Shtetit për Sigurinë në Britaninë e Madhe, Ben Wallace.
Dy ministrat diskutuan mbi gjetjen e mundësive dhe pikave të përbashkëta të interesit dhe për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri Xhafaj i parashtroi zoti Wallace prioritetet e detyrës së tij, duke u ndalur tek lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, krimit të organizuar e grupeve kriminale, si dhe në promovimin e integritetit të punonjësit të shtetit përmes shtrirjes së procesit të Vetting-ut edhe në radhët e Policisë së Shtetit.
Në fokus të takimit, mbajtur në zyrën e ministrit të Brendshëm, ishin çështjet që prekin sigurinë në të dy vendet. Ministri Wallace e konsideroi bashkëpunimin dhe partneritetin me palën shqiptare, ndër më të suksesshmet. Palët u dakordësuan për ardhjen në Shqipëri të 3 oficerëve të policisë britanike në mënyrë të përhershme, për të rritur shkëmbimin dhe cilësinë e informacionit, të kapaciteteve inovative që ka në përdorim policia, si edhe trajnime për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Me kërkesë të ministrit Xhafaj, pala britanike u shpreh e gatshme për të ofruar asistencë për Akademinë e Sigurisë.