Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar punimet në shkollën “Hoxha Tahsin”, në njësinë numër 1, e cila pritet të jetë gati në shtator për rreth 1 mijë nxënësit që e frekuentojnë atë.
“Jam entuziast sepse ky do të jetë një Shtator si asnjë Shtator tjetër në Tiranë. Pas shkollës në Kombinat që inspektuam dje, kjo është shkolla e dytë që ka ecur me ritme të jashtëzakonshme pune. Mbaj mend se para pak muajsh, sapo kishim hapur themelet dhe po diskutonim mënyrën si do të ndërtonim 20 shkolla të reja në Tiranë. Sot jemi në fazën kur po përfundojmë dy shkollat e para nga 20 të tilla. Mezi pres që gjatë verës, kur nxënësit të kthehen nga pushimet, ta gjejnë shkollën gati”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.
Ai theksoi se kjo shkollë, por edhe gjithë investimet e tjera që po bëhen në Tiranë janë përgjigja më e mirë ndaj çdo përpjekje që me anë të debateve politike të ndalojnë ritmin e punës. “Për të gjithë ata që sot kërkojnë qeveri teknike apo pushtet në tavolinë duhet të kujtojnë që deri dje e kishin Tiranën, mund t’i kishin bërë të gjithë këto shkolla, të gjitha këto punë. Ndaj, është shumë e rëndësishme të mos humbasim më kohë, mos merremi më me llogje dhe me fjalë, të fokusohemi te puna. Kush sot angazhohet në jetë publike e ka pas edhe shansin të tregojë çfarë pune di të bëjë. Ndaj unë besoj se njerëzit gjithmonë e më shumë, edhe në datën 18 qershor, por edhe në bisedat e përgjithshme, po vlerësojnë më shumë punën, një qeveri dhe një bashki që është e fokusuar te puna, sesa llogjet, çadrat edhe fjalët që s’kanë fund e as bereqet”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ndër të tjera, Veliaj tha se shkolla e re vjen me një trefishim të kapaciteteve të saj, duke synuar të ndikojë ndjeshëm në uljen e numrit të shkollave që japin mësim me dy turne. “Më vjen mirë që për herë të parë shkolla, jo vetëm shtohet dhe trefishohet si hapësirë, por i shtohen terrenet sportive; njëri do të jetë i hapur, këtu ku jemi ne, në oborrin e shkollës, kurse terreni i dytë do të jetë një palestër ultra-moderne, për t’u siguruar që shkolla është gjithashtu, edhe një qendër komunitare. Siç e shikoni shkolla është në zemër të banesave të lagjes në rrugën “Hoxha Tahsin”. Do të thotë se banorët mund ta frekuentojnë atë mbas orëve të mësimit, me fëmijët e tyre”, shtoi Veliaj, duke shtuar se krahas saj, në këtë zonë po rikonstruktohet totalisht edhe “Shkolla e Kuqe”.
Veliaj theksoi se krahas infrastrukturës arsimore, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, të mundësohet që në këtë shkollë të ketë edhe mësues shumë të mirë, për të garantuar që cilësia e mësimdhënies i përgjigjet cilësisë së infrastrukturës. “Bashkë me Drejtorinë Arsimore, në të gjitha shkollat e reja do të sjellim mësuesit më të mirë. Ndaj, sigurohemi që jo vetëm të ndajmë në mënyrë të njëtrajtshme investimet, por të shpërndajmë në mënyrë të njëtrajtshme të gjithë mësuesit, që cilësia të jetë e mirë kudo dhe të mos kemi diferencime të shkollave”, tha Veliaj.
Në bazë të projektit, shkolla e vjetër 9 vjeçare “Hoxha Tahsin” po rindërtohet me ambiente të dyfishuara. Shkolla e re do të ketë 4 kate me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra me standarde. Gjithashtu, shkolla do të ketë edhe një terren sportiv të jashtëm. Në total ajo ka një kapacitet të përgjithshëm rreth 1 mijë nxënës.
a.ç