Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, është shprehur i bindur se përfaqësuesja kosovare do të marrë pjesë në Evropianin 2020.
Në një intervistë për “thelastjourno”, Bunjaki ka thënë se objektivi kryesor i tij dhe ekipit është që të kalojë kualifikimet për Evropianin e ardhshëm.
“Kemi ekip të ri me moshë mesatare 22 ose 23 vjeç. Objektivi i parë është të formohemi si grup dhe të mësohemi si të koordinojmë lojën tonë.
Ideja është që në kualifikimet e ardhshme për Europianin 2020, t’i kalojmë dhe të marrim pjesë në turne. Jam i sigurt se do t’ia dalim”, ka thënë Bunjaki, transmeton Koha.net.
Bunjaki po ashtu ka folur për yjet shqiptarë të Zvicrës. Ai ka thënë se Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri nuk mund të luajnë për Kosovën për shkak të pjesëmarrjes në Euro 2016. Bunjaki ka folur edhe për Adnan Januzajn, për të cilin thotë se është i vetmi nga yjet ndërkombëtare që mund të paraqitet për Kosovën. (b.an)