Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2016 ekonomia shqiptare regjistroi ecurinë më të mirë në 6 vite, duke mundur edhe vet pritshmëritë e qeverisë, e cila parashikonte një rritje 3.4 për qind.
“Me publikimin e tremujorit të katërt të vitit 2016, INSTAT jep një vlerësim paraprak të vitit të kaluar, i cili rezultoi me rritje 3.46 për qind, në krahasim me vitin 2015”, tha Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT-it raporton tch. Zyra e Statistikave thotë se rimëkëmbja e ekonomisë fitoi terren pikërisht në tremujorin e fundit të vitit, ku shënoi rritjen më të lartë në 9 tremujorë.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2016 vlerësohet me rritje me 3.97 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2015”, tha më tej Ibrahimaj.
Gjallërimi i aktivitetit ekonomik është ndikuar nga rritja e ndjeshme e prodhimit të energjisë, por edhe gazsjellësi transadriatik (TAP), i cili i ka dhënë një shtysë të madhe sektorit të ndërtimit dhe atij të transportit.
“Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit u rrit me 5.14 për qind, i ndikuar kryesisht nga rritja në nëndegën e energjisë elektrike me 61.94 për qind. Aktiviteti i ndërtimit u rrit me 6.81 për qind, i ndikuar kryesisht nga kompanitë private, që punojnë në projektet e lidhura me projektin TAP”, tha drejtoresha e INSTAT-it.
E parë nga përbërësit e kërkesës, ekonomia ka përfituar si nga rritja e konsumit të popullatës, ashtu dhe zgjerimi i investimeve të biznesit./a.m.