Tashmë janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve këngëtarët Sinan Vllasaliu, Naim Abazi dhe Mihrije Braha, Ramadan Krasniqi, Nysret dhe Afrim Muçiqi. Ata dyshohet për shmangie të tatimeve.
Pjesa më e madhe e yjeve të estradës së Kosovës ka javë që po përballen me investigime serioze, nën dyshimin se i kanë ikur tatimeve në vlerë prej mbi 200 mijë euro.
Ata janë marrë në pyetje nga zyrtarë të lartë të Administratës Tatimore, të cilët në bazë të informatave të tyre kanë konstatuar se ata në mënyra të ndryshme i janë shmangur tatimeve.
Për këtë është caktuar edhe një prokuror i çështjes. Bëhet fjalë për zotin Atdhe Dema.
“Sinan Vllasaliu, Mihrije Braha dhe Naim Abazi, Ramadan Krasniqi, Nysret dhe Afrim Muçiqi tashmë janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve. Ata dyshohet se e kanë shkelur nenin 313 të Kodit Penal – Shmangie nga Tatimi” tregon ai
Punën kryesore, sipas mediave kosovare, e kanë kryer Administrata Tatimore, e cila ka kohë që është vënë në ndjekje të bizneseve, ose individëve, që në një formë a një tjetër i shmangën pagesës së tatimeve.
Veç këtyre, janë duke u hetuar edhe këngëtarë të tjerë.