Zbardhen detaje të reja në lidhje me hetimet e kryera deri më tani për vrasjen e Elton Çiços, në maj të vitit të shkuar. Burime të sigurta pranë grupit hetimor thanë për “Gazeta Shqiptare” se nga hetimet dhe verifikimet e kryera, rezulton se në timonin e mjetit që shoqëroi Aliajn deri te lokal “De Niro”, në zonën e ish-Bllokut, nuk qëndronte Renato Milloshi, por një tjetër person. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se shofer i mjetit në fjalë ka qenë Nelgert Pata, i cili më 20 nëntor të 2016-ës u ekzekutua me breshëri plumbash në Fier.
“Grupi hetimor dyshon që në timonin e mjetit që i dyshuari Jani Aliaj është afruar drejt lokalit ku u vra Elton Çiço, të ketë qenë Nelgert Pata. Gjithsesi, këto janë të dhëna që pritet të verifikohen në vijim të hetimeve, ndërkohë që në kërkim vijon të jetë autori i dyshuar”, thanë burimet për “GSH”. Emri i Renato Milloshit doli në skenë pak ditë pas atentatit që iu bë Çiços, pasi mjeti tip “Ford Focus” me targa AA 560 NX me të cilin dyshohej të kishte lëvizur atentatori, rezultonte të ishte i regjistruar në emër të tij.
Pas ngjarjes, Policia e Tiranës shpalli në kërkim Jani Aliajn si autorin kryesor të vrasjes së Çiços, dhe Renato Milloshin si bashkëpunëtor të tij. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici një muaj më parë. Aktualisht, ai ndodhet pas hekurave, pasi gjykata vendosi ta lërë atë në “arrest me burg”. 36- vjeçari pranoi se ishte personi që kishte blerë mjetin që ishte përdorur nga Jani Aliaj, por se paratë ishin paguar nga vetë Aliaj dhe ai kishte firmosur vetëm për pronësinë e tij. Po ashtu, djali i ish-kreut të Partisë Komuniste Shqiptare Hysni Milloshi, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen dhe se në atë moment ai ndodhej në banesën e tij.
Konflikti Aliaj-Çiço nisi që në burgjet e Greqisë
Konflikti mes Elton Çiços dhe Jani Aliajt ka nisur vite më parë, në një burg grek. Jani Aliaj ka qenë i dënuar me 18 vite burg në Greqi, për një vrasje të ndodhur në këtë shtet. Ai ka kryer vetëm 10 vite burg dhe më pas është arratisur prej andej. Gjatë kohës që Aliaj ka qenë duke kryer dënimin, në burg ndodhej edhe Elton Çiço, i cili ka qenë i dyshuar për drogë. “Hasmëria” mes tyre ka vijuar edhe në Shqipëri. Më 10 janar 2016, në një lokal në “Rrugën e Kavajës”, Tiranë, është tentuar të vritet me pistoletë Jani Aliaj. Autori ka qëlluar disa herë teksa ka qenë në lëvizje me një makinë, ndërsa i plagosur nga ciflat e xhamit ka mbetur një klient. Më 25 prill 2016, në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”, Jani Aliaj ra pre e një atentati tjetër me armë zjarri, ku mbeti i plagosur në dorë. Për të dyja këto ngjarje, sipas burimeve zyrtare të policisë, i dyshuar ishte Elton Çiço. Në ato kohë, ai ishte shoqëruar në polici, por më pas ishte lënë sërish i lirë për mungesë provash. Ndërkaq, vetëm 6 ditë më vonë, Elton Çiços iu bë atentat në lokal “De Niro”, në zonën e ish-Bllokut, në kryeqytet. Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës tha zyrtarisht se autori kryesor i dyshuar është Jani Aliaj, i cili vijon të jetë ende në kërkim