Pa zhurmë dhe larg vëmendjes së mediave, Parlamenti Shqiptar i ka hapur rrugë një ‘amnistie’, nga e cila përfitojnë pikësëpari politikanët dhe njerëzit e drejtësisë, por edhe mijëra qytetarë të zakonshëm.
Dosjet e pushtetarëve dhe të çdo qytetari të thjeshtë, të cilët kanë blerë pafajësinë tek gjykatat dhe prokuroritë e korruptuara, nuk mund të rihapem më kurrë, me qëllim për të rënduar pozitat e tyre.
Po ashtu, kush është dënuar një herë nga gjykata për një vepër të caktuar penale, pavarësisht zbulimit të provave dhe fakteve të reja, vendimi i gjykatës nuk mund të rishikohet më, me qëllim rëndimin e pozitës së të dënuarit.
Pra, kush ka blerë drejtësinë dhe është shpallur i pafajshëm nuk mund të dënohet më, ndërsa kush është dënuar një herë nuk mund të dënohet më tepër, edhe nëse dalin prova dhe fakte të reja për atë vepër penale. Kështu parashikojnë ndryshimet në nenin 449 të Kodin e Procedurës Penale të miratuara nga Parlamenti në datën 30 mars.
Me këtë pikë, të gjithë personazhet e përfshirë në ngjarjet e mëdha, ku është implikuar politika, që janë shpallur të pafajshëm apo që kanë marrë një dënim modest në raport me përgjegjësinë, nuk mund dalim më para drejtësisë së re pas shembjes së sistemit aktual të drejtësisë. Konkretisht, mbyllet çdo shteg për të çuar para drejtësisë të gjykuarit për ngjarjet e ’97, për Gërdecin, 21 Janarin, për vrasjet e bujshme, për skandalin me rrugën Durrës-Kukës etj.
Ndryshimi
Ligji i miratuar nga Parlamenti ndryshon pikën 2 të nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale. Varianti i miratuar parashikon që nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërkaq, pika e parë e këtij neni saktëson se, rishikimi i vendimeve që kanë marrë formë të prerë lejohet në çdo kohë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose shuar, por me kushtin që të mos synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërsa varianti në fuqi parashikonte që vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit. Ky ndryshim tingëllon si një lloj amnistie politike, pasi shumë politikanë që i kanë shpëtuar drejtësisë apo që kanë ia kanë ‘hedhur’ me një dënim minimal, nuk do të rrezikohen më nga drejtësia e re. Ndryshimi favorizon të gjithë zyrtarët dhe pushtetarët, të të gjithë krahëve politikë në Shqipëri, të cilët kanë blerë drejtësinë e korruptuar ndër vite, duke marrë pafajësi apo dënime modeste. Ndryshimi në KPP, në një farë mënyrë, vendos edhe një vit zero, sa i takon luftës kundër korrupsionit, me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
PS-LSI-PDIU përmbysin propozimin e ndërkombëtarëve
Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU kanë përmbysur propozimin e ndërkombëtarëve në favor të njerëzve që kanë blerë pafajësinë tek drejtësia aktuale. Ndryshe nga ekspertët e huaj, PS, LSI dhe PDIU kanë vendosur që vendimet e gjykatave të korruptuara të mos rishikohen, për të vendosur drejtësinë në vend për shumë ngjarje dhe abuzimeve në historinë e pluralizmit. Çfarë ka ndodhur? Për hartimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale është ngritur një grup pune, në kuadër të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Në përbërje të këtij grupi pune kanë qenë ekspertë të nivelit të lartë, përfaqësues të misionit EURALIUS, konsulentë dhe ekspertë të fushës. Grupi i punës është asistuar nga sekretariati teknik, i përbërë nga juristë dhe përfaqësues nga Kuvendi, misioni EURALIUS dhe eksperte të fushës. Ky grup pune ka propozuar ashpërsimin e pikës 2 të nenit 449 të KKP, duke hequr kufizimin kohor (brenda 5 viteve) për rishikimin e vendimeve të gjykatave. “Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod dhe me kërkesë, lejohet rishikimi i vendimeve të dënimit që kanë marrë formë të prerë”, thuhet në propozimin e ndërkombëtarëve. Por, ky propozim është hedhur poshtë nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas nga Parlamenti. Komisioni i Ligjeve, pa praninë e Partisë Demokratike, jo vetëm ka hedhur poshtë propozimin e grupit të punës, por e ka përkeqësuar pikën dy të nenit 449 të KKP, duke ndaluar rishikimin e vendimeve të gjykatave të korruptuara. Referuar procesverbalit të votimit, rezulton se ndryshimi i bërë nga Komisioni i Ligjeve është votuar në parlament nga deputetët e PS, LSI dhe PDIU. Edhe pse ky ndryshim favorizon shumë njerëz të Partisë Demokratike, kjo e fundit, për shkak të bojkotit të Kuvendit, nuk ka marrë pjesë në këtë proces.
Amnistia
Pa zhurmë dhe larg vëmendjes së mediave, Parlamenti Shqiptar i ka hapur rrugë një amnistie, nga e cila përfitojnë pikësëpari politikanët dhe njerëzit e drejtësisë, por edhe mijëra qytetarë të zakonshëm.
Ndryshimi
Ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale, në një farë mënyrë, vendos edhe një vit zero, sa i takon luftës kundër korrupsionit, me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Varianti i miratuar nga Parlamenti
Neni 256
Neni 449 ndryshon si më poshtë:
Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.”
Varianti i dorëzuar nga hartuesit
Neni 256
Neni 449 ndryshon si vijon:
Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod dhe me kërkesë, lejohet rishikimi i vendimeve të dënimit që kane marrë formë të prerë.
Varianti që ishte në fuqi
Neni 449
Vendimet që mund të rishikohen
…Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.
Deputetët që ndryshuan nenin në Komisionin e Ligjeve
Vasilika Hysi
Dashamir Peza
Pandeli Majko
Ulsi Manja
Vexhi Muçmataj
Luan Rama
Silva Çaka
Anila Agalliu
Edmond Leka
Tahir Muhedini
Adelina Rista
Kodi i ri, kush bashkëpunon me drejtësinë i shpëton dënimit
Neni 31. Neni 37/a ndryshohet si më poshtë̈:
“Neni 37/a
Bashkëpunimi me drejtësinë
1. I pandehuri që akuzohet për një krim që dënohet në maksimum jo më pak se 7 vjet burgim, të kryer në bashkëpunim ose për një nga veprat penale të parashikuara nga shkronja a) e paragrafit 1 të nenit 75/a, mund të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me prokurorin. Marrëveshja që përmban kushtet e bashkëpunimit mund të lidhet në çdo gjendje dhe fazë të procedimit, edhe pasi vendimi penal ka marrë formë të prerë dhe është vënë në ekzekutim.
2. Marrëveshja nënshkruhet kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht për të gjitha faktet dhe rrethanat që ka dijeni për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimtarinë kriminale. Dëshmia e tij duhet të jetë provë vendimtare fajësie, në drejtim të provueshmërisë së fakteve dhe të autorësisë së tyre, si dhe për parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. I pandehuri, në dëshminë e tij, duhet të identifikojë të gjitha pasuritë me origjinë kriminale në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve. Të dhënat e mësipërme duhet të jepen brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.
3. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të posaçme për vete dhe për familjen e tij, sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
4. Në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë, prokurori i kërkon gjykatës uljen e masës së dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nga dënimi. Kur marrëveshja lidhet në fazën e ekzekutimit të vendimit, kompetenca për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit i përket gjykatës që ka dhënë vendimin. Ulja e masës së dënimit ose përjashtimi prej tij çmohen në përpjesëtim me kontributin e dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë për faktet dhe rrethanat që tregohen në paragrafin 2 të këtij neni. Zbatohen rregullimet e paragrafit 7 të nenit 28 të Kodit Penal, si dhe rregullat e paragrafit 1 të nenit 480 të këtij Kodi.
5. Marrëveshja e bashkëpunimit revokohet kur bashkëpunëtori i drejtësisë shkel kushtet e marrëveshjes së bashkëpunimit, fsheh të dhëna pasurore ose fakte me interes për drejtësinë, ose bën deklarime apo dëshmi të rreme. Zbatohen për aq sa janë të pajtueshme rregullat e paragrafit 1 të nenit 480 të këtij Kodi”/shqiptarja.com