Kordinatori Politik i PS në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, mori pjesë në takimin e organizuar me emigrantët shqiptarë në Athinë.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Sekretarja për Kordinimin Elektoral Blerina Gjylameti, Sekretari për Emigracionin Stefan Çipa dhe i deleguari për Qarkun e Gjirokastrës Bled Çuci.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Gjiknuri deklaroi se Partia Socialiste është e vetmja alternativë e cila e afron vendin me Bashkimin Evropian. Dëshmi për këtë janë reformat e ndërmarra në mandatin e parë qeverisës e që synojnë shtetndërtimin.
“Ka forca që duan ta pengojnë këtë zhvillim. Ju e shikoni, ata që janë mbyllur në çadër kanë një mesazh të qartë politik. Mesazhi është ta pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë, të bëjnë atë që s’ka ndodhur ndonjëherë, kur humbësi apo ai që ndien se ka humbjen, i thotë tjetrit se nuk do të hyjë në garë, por të ikë ai, që të vijë ky”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri komentoi edhe lëvizjen politike të deputetit socialist Koço Kokëdhima ndërsa theksoi se “Lëvizja Zgjidhja është për të shkatërruar Partinë Socialiste, s’ka asnjë lidhje me PS-në dhe do të bëhet patericë e atyre që duan ta rrëzojnë PS-në”.
Duke ju referuar çështjes së koalicionit, Gjiknuri tha se Partia Socialiste ka detyrimin kushtetues që pavarësisht se çfarë bëjnë partitë e tjera, të futet në zgjedhje e të kërkojë besimin e shqiptarëve për të vazhduar reformat duke fituar edhe e vetme zgjedhjet./b.d