‘Zgjedhjet janë në krizë, një vend ku procesi zgjedhor është nën kërcënim nuk është Europian’ kështu ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu. Gjatë një konference me rastin e 60 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Romës, Bregu tha se Shqipërisë i mungon ambicia për të përmbushur detyrimet ndërsa shtoi se BE nuk po shprehet më troç.
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu ka parashtruar rrezikun se zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk do të jenë të lira. Ajo shprehet se një vend ku procesi zgjedhor kërcënohet nuk mund të jetë Europian .
Bregu: Është hera e parë pas kaq kohësh që të gjithë dëgjojmë se në rrezik dhe pikëpyetje të madhe janë zhvillimi i zgjedhjeve në Shqipëri dhe kjo nuk më duket çështje e vogël. Një vend me zgjedhje të munguara, me zgjedhje të kqija, në një vend ku zgjedhjet janë nën kërcënim, një vend ku qytetarët nuk janë të lirë për të votuar nuk është vend europian.
Sipas Bregut Shqipëria nuk ka ambicie për të përmbushur detyrimet që do të mundësojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian ndërsa shprehet se vet BE nuk po i shpreh më gjerat troç.
Bregu: Po të dëgjoni një deklaratë të bërë nga SHBA dhe një nga BE, më jepni diferencën e një gjuhë troç dhe një gjuhe që duhet marrë edhe konsensusi i 27 vendeve anëtare. Një gjuhë si një copë buke e lyer me gjalpë nuk është ajo që i duhet vendeve tona.
Eurodeputetja Elly Schlein tha se BE ndodhet në krizën e saj më të madhe që prej momentit të krijimit. BE tha ajo duhet të ndihmojë në integrimin e vendeve që mungojnë, pa të cilat unioni nuk do të ishte i plote .
Schlein: Nëse ndodhemi para rrezikut të shpërbërjes së Bashkimit Europian është se BE nuk ka dashur kurre t’i bëjë gjërat deri në fund dhe për shumë çështje ka pasur egoizëm dhe mungesë vullneti. Me Brexit kemi paguar një lojë shumë të rrezikshme. Në kemi përgjegjësi për të treguar drejtimin për integrimin e atyre vendeve që mungojnë dhe pa këto vende unioni nuk do të ishte i plote. Duhet të bashkëpunojmë me vende partnere si Shqipëria të cilat na kujtojnë kuptimin e BE.
Deklarata u bënë gjatë një klonferencë organizuar nga Ambasada e Italisë në Shqipëri me rastin e 60 vjetorit të nënshktrimit të traktatit të Romës./Oranews