Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua këtë të premte në Bruksel.
Në ndërhyrjen e tij në këtë takim, ministri Bushati shprehu mbështetjen e Shqipërisë për një angazhjim të rritur të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, në koordinim me Bashkimin Europian dhe vendet partnere.
Gjithashtu, Bushati evidentoi hapat e ndërmarra nga vendi ynë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Shqipëria vjen në këtë Ministerial me një seri kontributesh konkrete dhe në rritje, të cilat e rendisin vendin tonë në krah të aleatëve dhe partnerëve më aktivë në misionet dhe operacionet e NATO-s, duke përfshirë Afganistanin, Kosovën, detin Egje dhe së shpejti Letoninë” u shpreh Bushati.
Ndër të tjera, ministri i Jashtëm ilustroi edhe hapat pozitivë që ka ndërmarrë vendi ynë duke vendosur rritjen e buxhetit të mbrojtjes në vitet 2016-2017, me qëllim modernizimin e Forcave të Armatosura.
a.ç