Situata në radhët e Kombëtares shqiptare të futbollit është e tensionuar pas largimit të Taulant Xhakës dhe Amir Abrashit, që pas ndeshjesh me Italinë. Këto ditë kemi dëgjuar akuza dhe kundërakuza mes trajnerit Xhani De Biazi dhe Xhakës, por më të forta kanë qënë kritikat që vinin nga jashtë.
“Kritikat konstruktive natyrisht na bëjnë mirë, por shpifjet dhe intrigat na dëmtojnë të gjithëve. Nuk kemi kohë dhe luksin të merremi me debate boshe dhe “zhurmues” që mezi presin që të humbasim. Në këtë situatë kombëtarja ka më shumë nevojë se kurrë për mbështetje”, shprehet Duka.
SHKRIMI I PLOTE I ARMANDO DUKES
Kualifikimi i Shqipërisë në EURO 2016 ishte një arritje historike, jo vetëm për futbollin, por për të gjithë shqiptarët. Entuziazmi dhe sjellja e tifozëve shqiptarë në Francë i dha suksesit sportiv një imazh të shkëlqyer në mbarë botën. Euro 2016 do të mbetet, jo vetëm një kulm në rezultatet e kombëtares, por edhe një pikë kthese dhe shprese për të ardhmen e futbollit.
Por, ndërkaq duhet ta pranojmë që pritshmëria dhe ndjeshmëria ndaj rezultateve të kombëtares pas Europianit u rrit si kurrë më parë. E thënë shqip: E rritëm stekën!
Futbolli është një lojë që humbet dhe fitohet. Mund të humbasësh duke luajtur mirë, dhe e kundërta. Rezultatet e fundit të kombëtares natyrisht nuk janë të kënaqëshme. Jo thjesht për shkak të pozicionit në klasifikim. Mund të ishte bërë më mirë, mund të ishte bërë më shumë. Por, gjithsesi kjo nuk justifikon kurrsesi një frymë negative dhe disa kritika të pamerituara për skuadrën, trajnerin, dhe ndonjë lojtar të veçantë. I njëjti grup lojtarësh që na bëri krenarë një vit më parë nuk mund të denigrohet dhe të hidhet poshtë brenda natës. Kritikat konstruktive natyrisht na bëjnë mirë, por shpifjet dhe intrigat na dëmtojnë të gjithëve. Nuk kemi kohë dhe luksin të merremi me debate boshe dhe “zhurmues” që mezi presin që të humbasim. Në këtë situatë kombëtarja ka më shumë nevojë se kurrë për mbështetje. Ne kemi një grup lojtarësh të talentuar që luajnë me pasion dhe dëshirë për vendin e tyre. Edhe nëse ndonjëri prej tyre nuk luan mirë në një ose dy ndeshje, ose dhe nxitohet në ndonjë deklaratë, nuk ka pse të sulmohet dhe të cilësohet si “armik”. Nuk ka të drejtë askush të “përjashtojë” lojtarët nga studiot e televizioneve. Kjo është kompetencë ekskluzive e trajnerit. Ne duhet t’i ofrojme gjithsecilit dorën e bashkëpunimit, jo vetëm për hir të kontributit të tyre, por edhe për të ardhmen e futbollit.
Nga ana tjetër, edhe vetë skuadra me në krye De Biazin duhet të gjejnë forcë për të tejkaluar problemet, për të rikthyer besimin tek rezultatet pozitive. Të gjithë duhet të kuptojmë se çdo lojtar është i vlefshëm për ekipin edhe kur luan, edhe kur nuk luan. Vendimet e trajnerit duhen respektuar, por edhe ndonjë reagim i “nxituar” duhet mirëkuptuar. Eshtë momenti për një ribashkim të forcave te gjithsecilit, duke vënë mbi të gjitha, interesin e kombëtares. Ata tifozë, të cilët në Francë na bënë të gjithë krenarë, nuk mund të dalin kundër vetvetes, dhe në dëm të interesave të futbollit. Ajo që ndodhi në Palermo nuk ndhmon askënd. Përkundrazi: Ka dëmtuar rëndë imazhin e ngritur me aq mund të futbollit tone.
Tifozet duhet të kthehen ne stadium me dinjitet për të mbështetur kombëtaren e tyre. Kombëtarja ka nevoje për tifozët. Kombëtarja është e të gjithëve. FSHF është e hapur për çdo vërejtje dhe çdo kritikë. FSHF do të vazhdojë të luajë rolin e saj për mbështetjen e kombëtares dhe të trajnerit.
Ne do të vazhdojmë komunikimin me grupet e tifozëve, sepse kemi një qëllim të përbashkët: Kombëtarja duhet të na bashkojë, dhe jo të na ndajë. Kjo kombëtare meriton të respektohet më shumë, edhe në këto ditë jo të mira. /b.d