Bashkia e Tiranës i është bashkuar nismës së Kryqit të Kuq për dhurimin vullnetar të gjakut për fëmijët e diagnostikuar me talasemi, leukemi, tumor e të tjera patologji të rënda. Pjesë e fushatës me moto “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë” dhe “Dhurimi i gjakut ndihmon dhuruesin dhe përfituesin”, u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka theksuar se Tirana është solidare dhe se edhe në këtë rast do të dijë të tregojë veten duke ndihmuar shumë njerëz të cilët kanë nevojë për gjak.
“Jam shumë i lumtur që jam sot në Policinë Bashkiake me koleget fantastike të Qendrës së Transfuzionit të gjakut. E di që ne kemi shumë sfida në këtë qytet por është shumë e rëndësishme që të mos harrojmë njerzillëkun, pra atë që bëjmë për njeri tjetrin dhe një sens solidariteti që kemi për të gjithë ata në nevojë. Nuk i shkakton askujt asnjë problem shëndetësor, përkundrazi rekomandohet dhënia periodike e gjakut që edhe trupi të rigjenerojë rruazat”, tha Veliaj ndërsa bëri apel edhe qytetarëve që ti bashkohen kësaj nisme.
Ai është shprehur se fushata të tilla shërbejnë jo vetëm për të kontribuar për pasurimin e bankës së gjakut por edhe për të sensibilizuar qytetarët që ta kthejnë dhurimin e gjakut në një kulturë të përhershme. “Disa nevoja ne i kemi permanente, që kanë të bëjnë me fëmijët talasemikë që janë një numër fiks, që në qytetin e Tiranës duhet të marrin transfuzion gjaku në mënyrë periodike, disa nevoja pastaj mund të jenë në bazë të rasteve që ndodhin. Ne kemi aksidente, operacione ku gjithmonë lipset që banka e gjakut të jetë plot. Unë them që është shumë e rëndësishme që ne të punojmë për infrastrukturë në qytet por akoma më e rëndësishme të punojmë për kulture dhe kultura e dhënies së gjakut është një kulturë që frymëzon qytetarët të jenë më solidarë me njeri tjetrin”, u shpreh Veliaj.
a.ç