Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka marre pjesë në punimet e konferencës ndërkombëtare për Sigurinë Rrugore dhe Detare që u mbaj në Valletta të Maltës. Konferenca u zhvillua nën kujdesin e Eurokomisioneres për Transportin Violeta Bulc, me pjesëmarrjen e ministrave të Bashkimit Europian, dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Dervishaj në fjalën tij në konferencë theksoi se siguria rrugore është një prioritet për Ministrinë e Transportit, dhe po punohet për ta sjellë në standarte europiane.
“Çështja e Sigurisë Rrugore, është shumë aktuale në Shqipëri por nga statistikat edhe në vendet e tjera të rajonit dhe në BE. Siguria rrugore është një prioritet për Qeverinë Shqiptare. Ne bashkë me gjithë aktorët e përfshirë në çështjet e sigurisë rrugore, jemi duke punuar për të përmirësuar situatën për të pasur standarde europiane. Një element i rëndësishëm i punës sonë, është ndërgjegjësimi i publikut dhe në veçanti i drejtuesve të automjeteve, si të rinj apo me eksperiencë, që të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën, për të ruajtur veten dhe të tjerët. Nuk duhet harruar se siguria rrugore, është përgjegjësi e strukturave shtetërore, por edhe e drejtuesve të automjeteve, që kanë një rol të rëndësishëm në shmangien e aksidenteve. Ne besojmë se kemi ende punë për të bërë për të sjellë standardet e kërkuara, dhe për këtë arsye mendoj se kjo kërkon një angazhim jo vetëm kombëtar, por gjithashtu rajonal dhe europian”.
Në përfundim të punimeve Ministrat e Transportit të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, aprovuan edhe deklaratën e Vellettës, për më shumë vëmendje ndaj rritjes së sigurisë rrugore dhe uljes së numrit të aksidenteve me pasoja fatale.