Ministri i Jashtëm grek, Nikolaos Kotzia deklaroi të mërkurën në Tiranë se Shqipëria është pjesë e Europës dhe e Ballkanit dhe po ashtu një partner dhe fqinj strategjik.
“Dy vendet dhe popujt tanë jetojmë në këtë zonë dhe na duhet të bëhemi sa më kreativë. Ne dëshirojmë të jemi sa më krijues në përgatitjen e Shqipërisë drejt BE-së dhe çdo gjë që ndodh në Ballkan duhet të përfshijë dhe Shqipërinë”, u shpreh ministri Kotzias gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.
Në fillim të deklaratës së tij, kryediplomati grek vlerësoi prezencën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët i konsideroi hallkë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Jemi me fat që kemi bashkëqytetarë të tillë si emigrantët shqiptarë. Praktikisht, me ligjin e ri që kaloi qeveria ime në parlamentin grek ata janë ajo hallkë lidhëse mes dy vendeve tona, janë e ardhmja e marrëdhënieve tona”, u shpreh Kotzias.
Bashkëpunimi rajonal, Rruga drejt Bashkimit Europian, kriza ekonomike në Greqi, siguria energjitike dhe ajo ndaj ekstremizmave, ishin pikat kryesore të takimit zhvilluar mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut Grek, Nikos Kotzias.
Sipas Bushatit, takimi me Ministrin e Jashtëm grek është një shembull i marrëdhënieve të mira mes dy vëndeve. Ai bëri të ditur se në krye diskutimeve ishin çështjet e aktualitet, duke filluar nga axhenda e përbashkët Europiane.
Në përgjigji të interesit të gazetarëve, për kufinjtë detar me Greqinë, të cilët bënë një krahasim mes shelfit kontinental Shqipëri-Itali dhe atij Shqipëri-Greqi, ministri Bushati deklaroi:
“Çështja e përcaktimit të shelfit kontinental Shqipëri-Itali s’është e njëjtë me atë Shqipëri-Greqi, sikurse s’është e njëjtë me atë Greqi-Itali. Çështja e detit është një ndër temat për të cilën kemi diskutuar me ministrin Kotzias. Për disa prej tyre kemi qëndrime të ndryshme, por po kërkojmë një zgjidhje që është sipas së drejtës ndërkombëtare, me frymë europiane dhe nëse propozimet e ekspertëve nuk përafrojnë qëndrimet, e drejta ndërkombëtare do të na orientojë drejt një zgjidhjeje. Ne kemi interesin strategjik që ta zgjidhim këtë cështje, sepse kemi ekonominë detare, dhe asnjëherë s’kemi kërkuar një zgjidhje të njëanshme. Prandaj, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, mund t’ju them se pikat tona të përbashkëta janë më shumë sesa ato të ndarjes”.
Ndërkohë, ministri grek Kotzias teksa u pyet për ligjin e luftës mes dy vendeve dhe çështjen çame, u shpreh:
“Shqipëria dhe Greqia kanë këtu ura shumë të fuqishme miqësie, të cilat janë emigrantët shqiptarë dhe sigurisht ai minoritet grek që ekziston në Shqipëri.
Bashkë me to diplomacia krijon ura të reja, nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë.
Të gjitha marrëveshjet, bashkëpunimi në NATO jo vetëm na bëjnë miq, por dy shtete që janë partnere, na bëjnë aleatë. Kjo mënyrë e leximit tonë nuk përbën të njëjtën mënyrë leximi nga pala shqiptare.
Në biseda të tjera duhet të konfirmojmë që nuk jemi në gjendje lufte.
Për pronësinë, çdo shtetas mund t’i drejtohet gjykatave greke.
Ne nuk duam që çështjen e pronësisë së individëve ta kthejmë në çështje te errët te marrdhënieve ndërshterore ose të minojnë fqinjësinë tonë, duhet të mbështetimi në histori të mos përsërisim gabimet e të shkuarës dhe as të burgosemi në këtë histori”, ishte përgjigja e ministrit grek për ligjin e luftës dhe qëndrimin e qerverisë Cipras për çështjen çame”.