Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike vlerëson se ekonomia “lokomotivë” e Europës për vitin 2017 do të jetë Rumania, e cila pritet të rritet me 4 për qind. Pas Rumanisë, në podiumin europian të rritjes ekonomike renditen dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria.
Në “Parashikimin e Pranverës”, ekspertët e Institutit të Vjenës vlerësojnë se ekonomia kosovare do të rritet me 3.9 për qind këtë vit, ndërsa në Shqipëri, prodhimi kombëtar pritet të zgjerohet me 3.5 për qind. Ecuria e vitit 2017 nuk është e rastësishme. Sipas raportit, të dy shtetet e kombit shqiptar pritet të jenë në grupin e vendeve me rritjen më të lartë ekonomike në Europë edhe gjatë viteve në vijim, të ndihmuara nga baza e ulët, por edhe investimet e larta në infrastrukturë.
“Në Shqipëri dhe Kosovë, rritja ekonomike do të jetë veçanërisht e lartë në horizontin parashikues, mesatarisht 3.8% në vit”.
Në vendet e tjera të rajonit, ekonomia pritet të rritet me një normë që varion nga 2.8 deri në 3.1 për qind. Instituti i Vjenës vlerëson se, i gjithë Ballkani Perëndimor, e madje edhe Europa Qendrore e Lindore po përjetojnë një situatë më të mirë ekonomike. Por sipas tij, ky realitet kërcënohet nga risku i rritur politik, veçanërisht ai që ka lidhje me zbehjen e rolit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në rajon. TCH
ma.me