Dy të rinj u vunë në pranga nga policia italiane pasi akuzohen se janë vrasësit e shqiptarit Albert Dreni, ngjarje e ndodhur në 3 korrik të vitit 2016 më Milano.
Sipas mediave italiane, dy të arrestuarit janë pjesë e bandës së quajtur MS13 (Mara Salvatrucha), bandë e Amerikës së Jugut që shpërndan kodin e dhunës në të gjithë botën.
Të arrestuarit janë të moshës 20 dhe 21 vjeç, të cilët konsiderohen përgjegjës bashkë me bashkatdhetarë të tjerë, tashmë të arrestuar.
18-vjeçari shqiptar u sulmua në tramvaj me thikë gjatë një përleshjeje, ndërsa vdiq 11 ditë më vonë.
Alberti ishte viktimë e një prite mbrëmjen e 3 korrikut 2016, nga një bandë e gjerë prej 15 anëtarësh.
I riu shqiptar ishte njeri pa probleme, ndërsa në momentin e krimit kishte ndërhyrë për të mbrojtur një mik në shënjestër të bandës latine. Pavarësisht se u dërgua në urgjencë, ai kurrë nuk u zgjua nga koma.
I pari që u arrestua pas vrasjes qe 21-vjeçari Arturo Mauricio Sanchez Soriano i njohur si Peludo me origjinë nga El Salvador. /b.d