Komisioni i Jashtëm në Kuvend zhvilloi të mërkurën një seancë dëgjimore me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme lidhur me dinamikën e zhvillimeve të fundit në rajon, kryesisht me ngjarjet në Maqedoni, situatën në Mal të Zi, ngjarjet në Kosovë dhe situatën paraelektorale në Serbi.
Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Ferit Hoxha, e cilësoi “të trazuar” situatën e javëve dhe muajve të fundit në rajonin tonë, për shkak të zhvillimeve të ndryshme gjeopolitike, ku spikat marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës, tha ai.
Situata në Maqedoni, si më komplekse u përkufizua nga sekretari Hoxha, si “një ngërç institucional që po vazhdon prej muajsh, që nga zgjedhjet e 11 qershorit”.
Kjo situatë, sipas tij, eshtë në qorrsokak sa i kushton krijimit të institucioneve të reja, përfshi edhe qeverisë.
“Ajo vazhdon të jetë e tensionuar, institucionalisht e bllokuar dhe me potencial të lartë përkeqësimi, edhe për shkak të retorikës nacionaliste nga aktorë të atjeshëm. Kjo situatë madje rrezikon të degjenerojë edhe në krizë ndëretnike”, tha sekretari Hoxha, duke komentuar zhvillimet në Maqedoni.
“Debati politik ndërpartiak dhe funksionimi institucional i vendit është i bllokuar dhe situata në tërësi vazhdon të jetë burim shqetësimi, si brenda edhe jashtë vendit. Jo vetëm përcaktimi ynë, por i të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që ndjekin në vijimësi dhe me përgjegjësi situatën dhe zhvillimet në atë vend”, u shpreh Ferit Hoxha.
Sa i takon qëndrimit zyrtar të MPJ-së, ne, tha Hoxha, mbështesim të gjitha mesazhet që u janë dhënë aktorëve politikë dhe autoriteteve nga partnerët evropianë, duke theksuar se kriza politike nuk duhet kthyer kurrsesi në krizë ndëretnike.
Kryetarja e komisionit Arta Dade, duke marrë shkas nga qëndrimi i delegacionit të Federatës Ruse në OSBE, që e cilësoi deklaratën e përbashkët të partive shqiptare si pakt të ndikuar nga Tirana zyrtare dhe kërcënimit diplomatik të Hungarisë për të ndermarrë një nismë që dënon ndërhyrjen e Shqipërisë në punët e brendshme të Maqedonisë, pyeti përfaqësuesin e MPJ-së lidhur me qëndrimet zyrtare të Shqipërisë përpara përsëritjes së skenarëve të tillë.
“Kemi një qëndrim të thjeshtë e të qartë: nuk ka platformë të hartuar nga Tirana në Tiranë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Seanca e komisionit vijoi me interesimin e deputetëve për procesin e integrimit në NATO të Malit të Zi, si dhe çështje të tjera të rajonit. /b.d