Nga Fabian von der Mark
Nëse gjithçka do të bëhej sipas përfytyrimeve të presidentit turk Erdogan, atëherë Gjermania do të lipsej që të vepronte në këtë mënyrë: Shefi i BND-së (Shërbimi Federal Informativ) duhej të kishte marrë një listë prej homologut të tij turk. E në bazë të saj do të duhej që shërbimet gjermane të përndiqnin e ndëshkonin 300 nënshtetas turq – kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me mandatuesit turq.
Simpatizanët e Gülen-it nuk konsiderohen këtu si terroristë
Vetëm se: Akuza, që njerëzit kanë mbështetur lëvizjen e predikuesit Fethullah Gülen, nuk ekziston në Gjermani. Lëvizja e Gülenit në Gjermani si dhe në mbarë BE-në nuk klasifikohet si shoqatë terroriste. Ndoshta turqve nuk u pëlqen kjo, por autoritetet gjermane pas një verifikimi kanë arritur në konkluzionin se simpatizantët e Gülenit nuk paraqesin rrezik.
Problemi i dytë: Mënyra se si shërbimi i brendshëm sekret i Turqisë MIT (Millî İstihbarat Teşkilâtı) i ka marrë ifnormacionet, përbën shkelje të të drejtave themelore të njerëzve, që jetojnë në Gjermani – pavarësisht se çfarë nënshtetësie ata kanë. Spiunët turq, që përgjojnë me aparate fotografike, i përkasin kategorisë së dytë të filmave me agjentë, por ata nuk kanë vend në rrugët e Gjermanisë.
Gjermania tani për fat ka bërë të kundërtën e asaj, që pret Ankaraja: ajo i ka paralajmëruar qytetarët turq, se janë në shënjestër prej atdheut të tyre. Kjo është më e pakta, që mund të bënte spontanisht shteti gjerman. Njëkohësisht Gjermania duhet t’i kundërvihet me të gjithë forcën krijimit të një sistemi spiunësh në Gjermani, siç e dëshiron presidenti Erdogan. E me këtë nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitetet e shërbimit zyrtar sekret turk MIT.
A mundet Ditib të jetë edhe një partner shtetëror?
Nëse shoqata e xhamive Ditib keqpërdoret, për të mbledhur informacione mbi simpatizantët e Gülenit nën mandatin e autoritetit turk të religjonit Diyanet, atëherë shteti duhet të veprojë. Nëse vërtetohet, që nën mantelin e Ditib kryhet spiunazh për Erdoganin, atëherë unioni turko-islamik nuk mund të jetë partner bisedimesh për autoritete gjermane, por duhet të shpërbëhet.
Turqia duhet ta kuptojë: Nëse një gazetar gjerman mbahet në burg pa proces gjyqësor, kjo është e padrejtë. Nëse Turqia spiunon qytetarët, që sipas së drejtës gjermane janë të pafajshëm, kjo është e padrejtë. Nëse Turqia kërkon ekstradimin e të pandehurve si terroristë pa dëshmi mbi aktivitetin e tyre terrorist, kjo është e padrejtë. Një vend, që është anëtar në NATO, do të hyjë në BE dhe do të mbajë marrëdhënie funksionuese me Gjermaninë, nuk duhet të përçajë, të shpifë dhe ç’është më e rëndësishmja: duhet të pranojë shtetin ligjor.