Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares shqiptare të futbollit, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë konfirmuar sot bojkotin e tyre të plotë të ndeshjeve të kuqezinjve në Shqipëri për sa kohë që nuk respektohen kërkesat e tyre. Tifozët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat në stadiumet shqiptare dhe nuk duan që policia shqiptare të vazhdojë të qëndrojë mes tyre.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ata kanë bërë të ditur këtë qëndrim, ndonëse nuk do të rrinë larg Kombëtares, pasi kanë konfirmuar se do të ndjekin të grumbulluar pranë stadiumit “Elbasan Arena” ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Postimi i TKZ
“Sonte do të jemi në Elbasan por jo në stadium. Tifozin sonte dhe në të gjitha ndeshjet në vijim (brenda Shqipërisë) do ta bëjë policia me kallashnikov. Kur të largohen kallashnikovët nga tribunat e stadiumeve shqiptare dhe policia të na respektojë siç respektohen qeniet njerëzore, vetëm atëherë do të kthehemi në stadiumet shqiptare. Deri atëherë, Kombëtaren do ta mbështesim vetëm në stadiumet europiane”.
a.ç