Merr fund dilema. Lëvizja Socialiste për Integrim do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Burime zyrtare nga kjo parti pohuan për “BalkanWeb” se prej ditës së djeshme është dorëzuar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesa për t’u regjistruar në garën elektorale.
Të njëjtat burime pohojnë se kërkesa e saj do të miratohet zyrtarisht nga KQZ-ja në mbledhjen e ditës së nesërme.
“BalkanWeb” gjithashtu ka mundur të sigurojë edhe një kopje të projektvendimit që KQZ do të shtrojë për shqyrtim në mbledhje, ç’ka vërteton se tashmë regjistrimi i LSI-së në zgjedhjet e 18 qershorit është vetëm një çështje proceduriale.
Prej datës 18 shkurt, kur edhe nisi protesta e pandalshme e Partisë Demokratike me kërkesën për qeveri teknike si kusht për hyrjen në zgjedhje, hipoteza të ndryshme u ngritën në korridoret e politikës lidhur me qëndrimin që do të mbante LSI-ja.
Replikat në distancë mes saj dhe Partisë Socialiste krijuan deri diku përshtypjen se Ilir Meta ishte në dilemë sa i përket faktit nëse do të hynte apo jo në zgjedhje pa Partinë Demokratike.
Madje po sot kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, sfidoi hapur LSI-në kur tha se me ose pa aleatin e saj, PS-ja ishte e vendosur për të shkuar në garën elektorale.
Por tashmë me zyrtarizimin e kërkesën pranë KQZ-së duket se brenda koalicionit qeverisës PS-LSI nuk ka më dilema sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve në datën e caktuar, 18 qershor 2017.