Rudolf Marku, poet, shkrimtar, ish-deputet i PD e ish-diplomat ka dhënë një intervistë për emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku. Ai ka folur mes të tjerash edhe për situatën politike në vend, protestën e PD-së, dhe ish kreun e demokratëve, liderin historik Berisha dhe se si u shkarkua ish prokurori i përgjithshëm Maks Haxhia, në kohën që Marku ishte deputet.
Kur keni qenë deputet mbaheni mend për një seancë parlamentare maratonë për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm Maks Haxhia pas 4 muajve në detyrën e prokurorit të përgjithshëm.
Kam bërë gabim. Por më duhet të sqaroj se më janë keqkuptuar ato që kam thënë. Unë kam patur respekt dhe vlerësim për Maks Haxhinë edhe për faktin se e kam njohur. E kam patur nxënës në Lezhë. Unë në diskutimin tim kam qenë kundër jo për emërimit të tij nominal por për konceptin. Unë e njihja familjen e Haxhisë. I ati kishte qenë drejtor i burgut të Lezhës gjatë sistemit komunist. Dhe unë në koncpet isha kundër që pjesetarë të familjeve të sistemit komunist të merrnin detyra të larta shtetërore dhe sidomos në drejtësi. Për dijeni unë kam qenë kundër emërimit të Maks Haxhisë si prokuror i përgjithshëm dhe si i tillë isha por edhe për largimin e tij sepse ishte kundër me simbolin. Në fakt mua mu keqkuptua ajo që kam thënë. Nuk kam patur dhe nuk kisha asgjë personale me Maks Haxhinë sepse e thashë që për të kam patur respekt, por për koncpetin e asaj kohe. Unë nuk bërë si disa që duke qenë beniaminë të partisë ngritën dorën edhe kur u emërua edhe ku u kërkua shkarkimi. Kjo nuk është normale.
A ju ka mbetur ndonjë gjë në mendje ngjatë kohës që keni qenë deputet i PD në parlament?
Po edhe sot e kësaj dite më ka mbetur në mendje në mos gaboj në vitin 1993-1994 që ligji për abortin, i cili në vendet perëndimore dhe SHBA ka dashur 10 deri në 20 vjet diskutime, debate, kundërshti te ne kaloi dhe u miratua për 5 minuta. Isha i vetmi mes deputetëve që u ngrita dhe i thashë kryetarit Pjetër Arbnori të diskutonim por ai më tha nuk ka vend për diskutime se të gjithë ishin dakord. Unë me respektin ndaj atij njeriu iu drejtova duke i thënë se fetusi që për mua është qenie njerëzore një ditë mund të bëhet kryetar kuvendi dhe ne nuk kemi të drejtë ta vrasim që në bark. Qeshën të gjithë dhe ligji kaloi. E gjithë kjo situatë kaloi për 5 minuta.
Cili është vendi i Sali Berishës në histori?
Pa diskutim që ka vend të rëndësishëm sidomos në lëvizjen për demokraci në vitin 1990-1991. Por Sali Berisha ka bërë një dëm të madh vendit që sipas meje është manipulimi ndaj shpresave të njerëzve. Kjo është gjëja më e rëndë që ai ka bërë. Por zhgënjimi më i madh ndaj Berishës është kompromisi pas kurrizit të njerëzve të cilët i besonin. Turmave edhe mund tu thuash gjëra që nuk i beson as vetë, por jo njerëzve më të afërt. Mendoj se ndotja e politikës ka një limit. Por Berisha i tejkalon shpesh këto limite. Një e keqe e madhe e politikës shqiptare është riciklimi i figurave të njëjta, Dashur pa dashur politika i konsumon njerëzit.
Zoti Marku, kemi një situatë në kufi të krizës politike. Partia Demokratike prej më shumë se një muaji ka nisur një protestë duke qendruar në një çadër në bulevard duke kërkuar qeveri teknike për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Cili është komenti juaj?
Estetikisht më vret sytë ajo çadra në bulevard. Por të protestosh është liri dhe si e tillë PD është e lirë të protestojë në një sistem demokratik.
Ka një debat kohët e fundit për filmat e komunizmit. Cili është mendimi juaj?
Më mirë se kushdo e ka thënë në emisionin tuaj Saimir Kumbaro. Regjisori u tha juve zoti Qafoku se producenti I filmave të asaj kohe ishte Partia e Punës. Që këtu ne jemi të qartë se ato filma ishin propaganda e propagandave të atij sistemi. Lenini arriti deri atje sa tha se feja duhet të zëvendësohet me kinemanë dhe filmin. Në këtë kontekst nëpër libra edhe mund të kalonte ndonjë gjë. Ndërsa në filma kurrë. Pa u parë një film nga byroja në kinemanë e Bllokut nuk kishte shans që filmi të jepej. Prandaj ato filma janë kryekëput propagandë. Por nuk mund të hidhet poshtë punë mjeshtëria e aktorëve, regjisorëve e mjeshtrave të muzikës. Kam parasysh aktorët e mëdhenj Sandër Prosi, Kadri Roshi, Naim Frashëri etij që kanë treguar mjeshtëri. Pra këta filma nuk mund të flaken. Më vret shumë fjala të digjen, të shkatërrohen, të ndalohen. Pasi lan fëmijën, bashkë ujin nuk mund të flakësh edhe fëmijën. Prandaj ata janë produkte tona. Si duhet të transmetohen? Ndoshta me sqarime me shënime apo me një mënyrë që një kineast, një specialit të dalë dhe të shpjegojë skenarin dhe realizimin mbi bazën e asaj që është shtremberuar dhe ideuar. Por jo të ndalohen.
Letërsia jonë ka nxjerr një kolos si Ismail Kadare. Si ka mundësi që e sulmojnë dhe e shajnë?
Ata që sulmojnë Kadarenë janë ziliqarë. Janë merimanga me helm. Nuk ia vlen ti dëgjosh. I jam mirënjohës Ismail Kadaresë sepse e kam marrë vesh shumë vonë dhe ai vetë nuk ma ka thënë që ka ardhur në Lezhë dhe ka takuar deri drejtuesit e kohës duke u thënë që të mos sulmonin mua sepse kishin filluar sulem për disa poezi. Por një gjë e tillë në atë kohë ishte e jashtëzakonshme. Nga kjo me mua nuk u morën më me mua.
ma.me