Policia Kufitare Vlorë në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe Delta Forcë, GdF kanë realizuar një operacion të përbashkët mbi bazën e të cilit kanë bllokuar një mjet lundrues në det si dhe një sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sattiva pranë vendit të quajtur “Gjiri i Anglezit”, Karaburun.
Një pjesë e lëndës narkotike u gjet e ngarkuar në gomone ndërsa pjesa tjetër ishte e shpërndarë në breg të detit, në total 57 pako të përmasave të ndryshme, të mbështjella me plastikë dhe natriban, që shkonte në 750 kg drogë.
Mjeti lundrues tip gomone ka përmasat 7.2 m gjatësi dhe me dy motora të markës Yamaha 300 KF dhe 25 KF.
Gjatë bllokimit të mjetit lundrues dhe sasisë së lëndës narkotike, dyshohet se 3 persona duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia thotë se vazhdon operacioni i përbashkët nëpërmjet kërkimeve nga toka dhe uji me qëllim kapjen e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari kriminale. /b.d